
Ilir Mustafa, nga Prishtina, pak kohë pasi kishte braktisur punën si kamerier në një nga klubet më të njohura në kryeqytet, “Zanzi Bar”, ishte nisur për në Siri. Kjo kishte ndodhur në vitin 2011, derisa familjes u kishte thënë se po shkon në Zvicër.
Tri vite më pas, në vitin 2014, sipas të vëllait, familja e kishte kuptuar se Iliri nuk ndodhej në Zvicër por në ISIS. Këto i ka dëshmuar të hënën Suad Mustafa, në gjyqin për terrorizëm ndaj Shefqet Krasniqit, imamit të cilin ai e akuzon se ndikoi që i vëllai të bëhet terrorist.
Dy dëshmitare kanë munguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, për të dhënë dëshmitë e tyre sesi imami i xhamisë së madhe të kryeqytetit, Shefqet Krasniqi i bindi fëmijët e tyre që të shkojnë në Siri.
Për nënën e Blerim Hetës, të riut nga Ferizaj që vrau mbi 50 persona, përfshirë edhe veten, në një sulm kamikaz, në gjykatë u arsyetua mungesa, pasi u tha se ndodhet me vendbanim në Gjermani. Ndërsa, nëna e prishtinases Venera Ademi, një ish-pianiste dhe këngëtare e re që braktisi ëndrrën e saj për muzikë për të shkuar në Siri, sipas turpit gjykues, nuk ka pranuar ende ftesën e gjykatës për të dëshmuar.
Por, të hënën në Gjykatë kishte ardhur Suad Mustafa, vëllai i një tjetër kosovari të ISIS-it, për të cilin familja e tij pretendon se u ndikua nga ligjëratat e imamit të akuzuar për të shkuar në Siri, shkruan Gazeta Express.
Mustafa, edhe pse në dëshminë e tij tha se kishte raport më të afërt sesa familjarët tjerë, me Ilirin, ai nuk e dinte moshën e as vitin e lindjes së të riut që shkoi në Siri.
Po ashtu, ai zbuloi para trupit gjykues se familja për tri vite nuk e kishte ditur se ku ka përfunduar Ilir Mustafa. Në momentin e largimit nga shtëpia, në vitin 2011, sipas të vëllait, Iliri u kishte thënë motrave se po nisej për në Zvicër.
“Motrat kanë qenë në shtëpi kur ka shku. E kanë përcjell motrat. Unë kam qenë në punë. Ai u ka thënë se po niset në Zvicër”, tregoi Suad Mustafa në gjykatë, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit.
Ai tha se gjatë atyre viteve e gjitha familja ka pasur komunikime të rralla me të riun. Më të, sipas Mustafës, kishte komunikuar vetëm pas tre vitesh, më 2014, kur edhe i kishte kumtuar vendndodhjen e saktë.
“Unë nuk kam kontaktuar me ta, deri kur ai më ka thirr në vitin 2014 dhe më ka tregu se gjendet në Siri”, deklaroi dëshmitari.
Ai tregoi se Iliri pak kohë para se të largohej nga shtëpia kishte lënë punën në “Zanzi Bar”, ku kishte punuar si kamerier.
Suad Mustafa, në dëshminë e tij, tregoi se i vëllai kishte qenë praktikues i rregullt i fesë nga viti 2002. Sipas tij, ai është falur në xhaminë “Mehmet Fatih” në Prishtinë, imam i të cilës ka qenë Shefqet Kransiqi.
Për këtë të fundit, ai disa herë gjatë dëshmisë tha se është i bindur se ka ndikuar që i vëllai të shkojë në Siri.
Dëshmitari në seancën e sotme tha se e kishte dëgjuar edhe gjyshin e tij që ka qenë haxhi, t’i ketë kritikuar ligjëratat e Krasniqit, të cilat tha se kanë qenë në disa raste të ashpra.
“Unë personalisht mendoj se ka pasur raste shumë të ashpra në ato ligjërata. Dhe unë për vete nuk i dua. Problem është më i përballu dikush, sidomos një i ri”, u përgjigj Suad Mustafa në pyetjen e prokurorit Elez Blakaj se a kanë ndikuar ligjëratat e Shefqet Kransiqi në vendimin e vëllait të tij, Ilirit.
“liri ka qenë i ri. Sot, si në shtëpi, në qofte se, tu e pa gjendjen, jetesën, problemet e ndryshme mendore dhe sociale, njeri mundet me u shty kahmos me shku”, tha ai.
Suad Mustafa tha se pasi e kuptuan se ku ndodhet më të vërtetë Iliri, është munduar vazhdimisht t’i shmanget bisedave për të në familje, për shkak të gjendjes shëndetësore të dy prindërve të tij dhe gjyshit, tashmë të ndjerë.
Para se të dëgjohej dëshmitari, Prokurori Elez Blakaj, të cilin trupi gjykues dhe mbrojtja e kursyen nga leximi i aktakuzës, gjatë fjalës së tij hyrëse tregoi se të tre dëshmitarët e propozuar nga ai, përfshirë Suad Mustafën, do të tregojnë në Gjykatë sesi janë transformuar familjarët e tyre, dhe më pas të njëjtët kanë shkuar në zona të konflikteve në Azi, pasi kanë dëgjuar ligjëratat e Shefqet Krasniqit.
Prokurori Special përmendi edhe një rast kur imami i akuzuar ka bërë krahasimin e masakrave serbe ndaj shqiptarëve, me ato se çka ka ndodhur në luftimet në Siri.
Por, mbrojta e Shefqet Krasniqit që edhe vetë është deklaruar i pafajshëm për tri akuzat e Prokurorisë Speciale, të ngritura qysh vitin e shkuar, konsideroi se bëhet fjalë për interpretime të gabuara të ligjëratave të ish-imamit të xhamisë së madhe, dhe për dhënien e një konotacioni ndryshe. Po ashtu, avokati Sevdali Zejnullahu tha se prokuroria nuk ka për të arritur në gjykatë të dëshmojë as akuzat për shmangie tatimi të klientit të tij, me cilat ngarkohet Shefqet Krasniqi në të njëjtën aktakuzë.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës, në aktakuzën e ngritur ndaj Shefqet Krasniqit, në shkurt të vitit 2017, pretendon se imami kontrovers gjatë vitit 2013 dhe 2014, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, me anë të të cilave ka shtyrë të tjerët t’u bashkohen organizatave terroriste në zonat e konfliktit në Azi, e që më pas kanë kryer akte terroriste.
“I njëjti duke shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta para publikut me anë të ligjëratave të ndryshme, si dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, si TV dhe radio, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimit të ajeteve kuranore jashtë kontekstit kohor dhe frymës parimore islame […] ka ndikuar te të tjerët që të marrin rrugën dhe t’u bashkohen organizatave terroriste ISIS dhe Al Nusra, të cilat luftojnë kundër pushtetit sirian dhe për krijimin e Shtetit Islamik në Irak dhe Siri, siç është rasti i Venera Ademit, Ilir Mustafes apo rasti i Blerim Hetës – e nga veprimet e këtij të fundit, përmes një akti terrorist vetëvrasës, më datë 25.03.2014 ishin vrarë 52 persona në Irak”, thuhet në pikën e parë të aktakuzës ndaj Shefqet Krasniqit, i akuzuar për “Shtytje për kryerjen e veprave terroriste”.
Krasniqi akuzohet se gjatë së njëjtës periudhë kohore, gjatë të njëjtave ligjërime të tij, ka kryer edhe veprën penale “Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, ndërmjet komuniteteve të cilat jetojnë në Kosovë.
Në pikën e tretë të aktakuzës, imami i xhamisë së madhe të Prishtinës, akuzohet edhe për “Shmangie nga tatimi”, pasi i njëjti dyshohet se nuk ka paguar mbi 20 mijë euro obligime tatimore për biznesin e tij privat “N.T. Portat”.
“Prej vitit 2011 deri në fundvitin 2016, me qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta, si dhe nuk ka përfshirë-deklaruar të dhënat tjera relevante lidhur me obligimet tatimore, duke mos i kryer kështu detyrimet të cilat rrjedhin sipas ligjit për ATK-në, ku si rezultat i këtyre veprimeve i njëjti i është shmangur detyrimit në tatim duke mos i kryer obligimet tatimore në vlerë të përgjithshme prej 20.208,57 eurove./Gazeta Express/.