Pastori Krasniqi: Konferenca ‘Interfaith Kosovo’ po amniston ekstremizmin

Pastori Krasniqi: Konferenca ‘Interfaith Kosovo’ po amniston ekstremizmin

Pastori i Kishës Bashkësia e Popullit të Zotit, Artur Krasniqi, nuk ka kursyer kritikat ndaj ushtruesit të detyrës së Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, dhe konferencës “Interfaith Kosovo” që organizohet nga MPJ.

Sipas Krasniqit, Interfaith Kosova është një OJQ në pronësi të ministrit “që keqpërdor fondet e shtetit më të varfër dhe i mahnit qindra mysafir nga bota me luksin që Kosova ju ofron”.

“Derisa bota na këshillon që po sharrojmë keq, Interfaith po shet mend në botë se këtu çdo gjë po lulëzon. Pushtetarët që kanë përgjegjësinë e katandisen Kosovën kështu, përmes kësaj parade tepër të kushtueshme po mundohen të duken si luftëtar të lirisë fetare në Kosovë. Ky pushtet mban përgjegjësinë që nuk e rregulloj nevojën më të madhe të Komuniteteve fetare, që të rregullojë pozitën juridike të bashkësive fetare në Kosovë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

Konferenca Interfaith Kosovo që filloi dje, mblodhi në Prishtinë rreth 300 mysafirë nga gjithë bota.  Qëllimi i këtij organzimi është promovimi i tolerancës, dialogut ndërfetar dhe lufta kundër ekstremizmit.

Por, sipas pastorit, përmes organizimeve të tilla, në fakt vetëm po mundohemi ta fshehim problemin e ekstremizmit në Kosovë.

“Interfaith Kosova nën petkun e tolerancës sot është amnestim i ekstremizmit dhe radikalizmit, një tendencë e ligë për të fshehur lebrosën e shfaqur në fytyrën e Kosovës dhe të alarmuar nga shumë mediume ndërkombëtare që tashmë na janë veç pamfletë”, ka shkruar ai.

“Derisa bota po na paralajmëron se është ujku, ne si gomari, “Bane Zot andërr” Interfaith Kosova është mashtrimi i madh që po i bëhet Kosovës, popullit të saj dhe unë besoj sidomos po i bëhet kishës”./Insajderi.com