Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ka folur rreth ngjarjeve të fundit që janë duke ndodhur në shtetin e tyre fqinj, Greqi.
Në një intervistë për televizionin grek, “Antena TV”, ka shprehur “dashurinë”, që ka për Greqinë dhe për kryeqytetin e saj, Athinën.
Bushati ka treguar se ka përfunduar studimet në Athinë dhe se atje ka kaluar shumë mirë dhe ka shumë miq të cilët janë edhe politikanë, shoqërisë civile dhe akademik.
“Kam studiuar në Greqi, kam kaluar një vit në Athinë dhe kam kujtime të mira nga Athina. Kam miq të mirë jo vetëm në politikë, por edhe në shoqërinë civile dhe akademike. Nuk kam studiuar në Turqi, por them se kemi gjithashtu marrëdhënie të mira dhe strategjike me Turqinë”, ka thënë Bushati.
Ndërsa në Athinë është duke u protestuar kundër propozimit të emrit Maqedoni, Bushati për këtë ka thënë se kjo çështje duhet zgjidhur me konsensus.
“Ne i inkurajojmë të gjithë aktorët që të ecin përpara për zgjidhje. Të dy vendet do të përfitojnë nga zgjidhja me kompromis në këtë drejtim dhe mendoj të njëjtën gjë për të gjithë rajonin. Ne i kushtojmë një kujdes të veçantë kësaj çështjeje pasi atje ka shqiptarë që jetojnë”, është shprehur Bushati.
Në Athinë sot do të protestohet, kundër propozimit të emrit Maqedoni, ku është paralajmëruar të jetë një nga protestat më të mëdha të organizuara nga viti 90 për të njëjtën çështje, lidhur me protestën e sotme raportohet se janë rezervuar mbi 1500 autobusë me protestues. /Insajderi.com