Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është paditur për shpifje nga familja Berisha nga Suhareka për shkak të deklaratave të saj publike, lidhur me rastin e Shyhrete Berishës.
Avokatja e Familjes Berisha, Vahide Braha, tha për Insajderin, se padia është bërë për shkak se Jahjaga ka thënë se Shyhrete Berisha, “është nxjerrë zhag nga shtëpia ku kishte jetuar me burrin dhe fëmijët e saj”.
Braha tha se seanca fillestare për këtë rast do të mbahet gjatë këtij muaji.
“Seanca fillestare do të mbahet me 14 shkurt në Gjykatën Themelore të Prishtinës”, tha ajo.
Insajderi ka provuar të kontaktoj edhe me avokatin e Atifete Jahjagës dhe është në pritje të një përgjigje nga ai.
Jahjaga në mbrojtje të “Drejtësisë së Mohuar”
Shyhrete Berisha, e cila i ka mbijetuar masakrës së familjes Berisha të 26 marsit 1999 në Suharekë, ku iu vranë bashkëshorti dhe katër fëmijët, pas luftës kishte nisur një betejë gjyqësore për të marrë gjysmën e shtëpisë që ajo pretendonte se i takonte.
Për disa vite ajo u përball në proces gjyqësor me kunetërit e saj, Arben dhe Xhelal Berisha, deri në korrik të vitit të kaluar kur e fitoj rastin.
Gjykata në Suharekë mori vendim se Shyhrete Berisha është pronare e gjysmës së shtëpisë së banimit dhe po ashtu pronare e gjysmës së paluejtshmërisë së pronës në Suharekë.
Vëllezërit Arben dhe Xhlal Berisha janë ankuar në shkallën e dytë ndaj vendimit të Gjykatës së Suharekës.
Jahjaga ka dal në mbrojtje të Shyhrete Berishës, ajo edhe pas vendimit të gjykatës pati disa fjalë për “Drejtësinë e mohuar”.
E kishte mbështetur fort gruan e cila përveç dhimbjes së humbjes së gjithë familjes i mohohej e drejta e shtëpisë.
Në shumë fjalime të saja e kishte quajtur “rastin e Shyhrete Berishës turp të institucioneve të drejtësisë”, she kur pas më shumë se 17 vitesh, Berisha fitoi të drejtën mbi pronësinë, Jahjaga ka shkruar se ky vendim e ka gëzuar.
“Shyhreten fatkeqësisht drejtësia dhe shoqëria kosovare e la të dëshpëruar për një kohë shumë të gjatë, duke e përballur me konteste gjyqësore, sikur asaj të mos i mjaftonte dhimbja me të cilën kishte jetuar gjithë këto vite pasi kishte humbur të gjithë familjen në masakrën e familjes Berisha nga Suhareka gjatë luftës në Kosovë”, ka shkruar Jahjaga. /Insajderi.com