
Kompania që ka vendosur reklamën e brendit Coca-Cola në pallatin e ish-Sllovenia Sportit në Prishtinë, ka thënë se me vendosjen e billbordit mbi mural nuk kanë mbuluar një vepër arti, por një reklamë të bankës Raiffeisen.
Në një reagim për media, kompania Selmans Network ka reaguar ndaj artistes Fitore Berisha, e cila reagoi sot në mbrojtje të veprës që e kishte punuar vet.
“Na paska reaguar “Artistja” (lexo komercialistja) Fitore Berisha duke cilesuar ngjyrat e saj si veper arti në një mural në rrugën Agim Ramadani, i cili na u paska punuar nga Fitore Berisha si një vepër arti e cila nuk guxon të shkatërrohet”, thuhet në reagimin e kompanisë Selmans Network.
“Ironia qëndron për faktin se murali për të cilin artistja konsideron se na qenka një vepër e rrallë arti është një reklamë e Reiffeisen Bank dhe që tash e pesë vite mbanë logon e saj në atë mural. Duke qenë se artistja në fjalë një reklamë të Reiffeisen Bank na cilëson si vepër arti e për të cilën kjo artiste është paguar dhe se kjo Bankë deri tash ka paguar qera vjetore në bazë të një kontrate të cilën ka pasur me shtëpinë e sportit në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Kompania në fjalë thotë se “do kisha preferuar që ‘Artistja’, Reiffeisen Bank apo edhe Shtëpia e Sportit të zbulonin kontratat të cilat kanë pasur deri me tani dhe të sqaronin që ngjyrat e hedhura në atë mur janë reklamë komerciale e paguar mirë dhe se nuk është një vepër arti të cilën na paska bërë kjo ‘Artiste’ “.
Drejtori i kompanisë Selmans Network, Kujtim Selmanaj ka thënë se më vepër arti është reklama e Coca Cola së sa ngjyrat e hedhura në atë mural për arsye komerciale.
“Dhe për fund Murali në fjalë nuk është larguar nga aty nga Inspeksioni, por, është larguar nga kompania e kontraktuar pas kërkesës së Kompanisë Coca Cola. Nuk përjashtoj rolin e Inspeksionit”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com