Bedri Selmani nuk do të bëhej milioner pa ndihmën e Thaçit

Përfitimet ishin të dyanshme. Nga “ideologjia biznesore” e PDK-së ka përfituar më së shumti biznesmeni Bedri Selmani. Po ashtu, drejtuesit e PDK-së kanë dalë fitues nga gatishmëria e Selmanit për të qenë uzurpatorë.

Bedri Selmani nuk do të bëhej milioner pa ndihmën e Thaçit

Viti 2000: Bedri Selmani emërohet këshilltar për çështje ekonomike i Hashim Thaçit. Nis perandorinë e tij të biznesit duke uzurpuar pronën shoqërore. “Kosova Petrol” e “Hotel Victory” qarkullojnë milionat.

Viti 2016: Bedri Selmani nuk këshillon më Thaçin. Është me mijëra kilometra larg tij-në Kroaci. Perandoria e tij e biznesit po rrënohet. Shteti i udhëhequr nga Thaçi e ka dëbuar nga “Hotel Victory” dhe “Kosova Petrol”.

Pamjet nga aksioni i sotshëm policorë në “Hotel Victory”, japin përshtypjen e një shteti të fuqishëm që triumfoi me lehtësi kundër një keqbërësi. Një shteti që detyroi menaxhuesit e hotelit që ta ngrenë flamurin e bardhë dhe të dorëzohen.

Dukej se pronarët e këtij biznesi kanë uzurpuar pronën shoqërore kah fundi i muajit të kaluar, diku para pesë-gjashtë ditësh, dhe se shteti nuk mund ta toleronte këtë kaq gjatë.

Por, parada e sotshme ishte një mashtrim. Ishte një triumf mbi një biznesmen që nuk sheh më interes që ta menaxhojë këtë hotel. Bedri Selmani e ka mbajtur për 17 vjet të uzurpuar dhe ka qarkulluar miliona me këtë biznes. Është stërngopur nga milionat e përfituara në pronën e uzurpuar.

Faktin se aksioni i sotshëm ishte thjeshtë një paradë, dukej se e dinte edhe vetë Bedri Selmani. Ai nuk ishte i pranishëm gjatë aksionit, ndonëse shteti po ndërhynte në biznesin e tij me qarkullim milionësh.

Ai duket se e di që ka përfituar mjaft nga uzurpimi. Është i vetëdijshëm që ka ardhur koha që t’ia kthejë shtetit atë që ia ka marrë. Ndoshta me premtimin se nuk do ti konfiskohet pasuria e krijuar nëpërmjet uzurpimit të pronave shoqërore.

Është i vetëdijshëm, po ashtu, se është ai që do ta bart nishanin e uzurpatorit, ndonëse këtë veprim nuk do të mund ta bënte pa qenë i afërt me PDK-në.

Dhe se duke bartur këtë nishan është pengesë për të ardhmen politike të miqve të tij. Tashmë, ai nuk është i përkrahur nga partia në të cilën bënte pjesë.

Partia Demokratike e Kosovës, pjesë e të cilës ishte Selmani, e ka përshëndetur aksionin kundër tij.  Kryetari Kadri Veseli pohoi se “Në Kosovë prona është e shenjtë dhe se ligji vepron njëjtë për të gjithë”.

Veseli vendosi ta quaj të shenjtë pronën ku u operoi deri tash “Hotel Victory”. Të njëjtën pronë që nuk kishte kurrfarë shenjtërie tash e 17 vjet.

Pikërisht në “Hotel Victory”, pronën  e vlerësuar tash si të shenjtë,  PDK-ja ka mbajtur pothuajse të gjitha mbledhjet e këshillit drejtues dhe të përgjithshëm.

Aty është mobilizuar PDK-ja në kohën kur drejtohej nga Hashim Thaçi, tash president i Republikës. Thaçi menjëherë pas përfundimit të luftës e kishte angazhuar Bedri Selmanin në postin e këshilltarit për çështje ekonomike.

Dhe hoteli i menaxhuar nga Selmani funksioni për më shumë se një dekadë si ‘çerdhe’ e Partisë Demokratike të Kosovë.

Pikërisht në mbledhjet e mbajtur në këtë hotel, Thaçi premtonte zero tolerancë ndaj korrupsionit. Jo vetëm Thaçi, por të gjithë drejtuesit e PDK-së kanë qenë të informuar se po mblidheshin në një pronë të uzurpuar.

Nuk e ka penguar ky fakt asnjërin. PDK-ja, që udhëhoqi për dy mandate ekzekutivin e legjislativin, kishte kontroll të vazhdueshëm mbi Agjencinë e Privatizimit.

Kontrollin nuk e përdori asnjëherë për të liruar pronat e uzurpuara. Por, për ta bërë të kundërtën-për të uzurpuar sa më shumë dhe atë çfarë ka mbetur.

Dhe ky synim i partisë i përshtatej Selmanit. Përfitimet ishin të dyanshme.  Nga “ideologjia biznesore” e PDK-së ka përfituar më së shumti biznesmeni Bedri Selmani. Po ashtu, drejtuesit e PDK-së kanë dalë fitues nga gatishmëria e Selmanit për të qenë uzurpatorë.