Naser Canolli, që ende figuron si anëtar i këshillit drejtues të PDK-së, mund të vazhdoj të drejtoj pa problem dy ndërmarrje publike. Agjencia Kundër Korrupsion ka konkluduar se nuk ka konflikt interesi në mbajtjen e dy pozitave nga Canolli.
Agjencioni Kundër Korrupsion ka vendosur që të mbyllet rasti kundër kryeshefit ekzekutiv të “Termokos” dhe anëtarit të bordit të ndërmarrjes “Aeroporti i Gjakovës”.
Konkludoi se ka kufizime por nuk ka konflikt faktik të interesit në ushtrimin e këtyre dy funksioneve publike.
“Zyrtari i lartë z. Canolli mund të gjendet në situata të konfliktit “rast për rast” të interesit, por në raste të tilla ai është i obliguar që ta bëjë deklarimin e atyre interesave dhe të tërhiqet nga vendimmarrja”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion, të publikuar dje më 9 shkurt.
Kundër Korrupsionit konkludoi se është i paqëndrueshëm pretendimi se Canolli mban edhe postin e tretë publik- Drejtor i Gazetës Zyrtare në Zyrën e Kryeministrit.
“z. Canolli ka sjellë në AKK dëshminë zyrtare-vendimin nga sekretari i Zyrës së Kryeministrit- që ai tashmë ka bërë pezullimin e dakorduar të marrëdhënies së punës në Shërbimin Civil”, thuhet në vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion.
Ardhja e Canollit në krye të këtyre dy ndërmarrjeve publike është kritikuar nga opozita e shoqëria civile.
Ai ka të kaluar politike. Është zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës më 18 mars 2013. Emri i tij ende figuron në faqen zyrtare të PDK-së, ndonëse ka marrë nën drejtim dy ndërmarrje publike.
Ligji për ndërmarrje publike parasheh ndalesa për personat me të kaluar politike.
Nuk lejon që në postin e anëtarit të bordit të emërohet një person që është përfshirë në politikë, në 36 muajt e fundit.
Por Canolli morri postin e anëtarit të bordit ende pa kaluar 36 muaj nga zgjedhja e tij në Këshillin Drejtues të PDK-së, organin më të lartë të kësaj partie.