Vuçiqi flet për hasmërinë e Oliver Ivanoviqit me një person tjetër

Vuçiqi flet për hasmërinë e Oliver Ivanoviqit me një person tjetër

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq e ka pranuar se Oliver Ivanoviqi kishte një konflikt që nga viti 2000 me Milan Radojçiqin.

“Kam biseduar shumëherë me Ivanoviqin. Ka pasur një konflikt në mes tij dhe Radojçiqit. Me Radojçiqin kurrë nuk kam biseduar, ndoshta vetëm në telefon. Tash shtrohet pyetja: Ai njeri e ka ditur që dikush do ta drejtojë gishtin kah ai. Që nga viti 2000 është ky konflikt. Prandaj shtrohet pyetja, a është ai budalla dhe i çmendur?”, ka thënë Vuçiqi gjatë një emisioni televiziv në Serbi.

Siç u raportua në mediet kosovare, para më shumë se dhjetë ditësh, institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës i kanë informuar udhëheqësit politikë, sipas të gjitha gjasave edhe në Kosovë, por edhe në Serbi për dorasin dhe motivet e vrasjes.

Milan Radojçiqi ka qenë deri më tani emri më i lakuar për mundësinë e përfshirjes në këtë vrasje. Liderë serbë nga Kosova dhe Serbia kanë thënë se ai ka përgjegjësi për këtë.

Është raportuar se Vuçiqi nuk ka lejuar që Milan Radojçiqi t’i qëndrojë afër gjatë vizitës së fundit që e kishte në Kosovë, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit.