Komuna e Prizrenit në mënyrë të drejtpërdrejtë e ka akuzuar Qendrën Rajonale të Trashëgimisë në Prizren dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, nën ombrellën e së cilës funksionon kjo Qendër, për vdekjen e fëmijës 3-vjeçar pas shembjes së një muri të shtëpisë së vjetër në Qendrën Historike të Prizrenit.
Insajderi ka biseduar me drejtorin e Departamentit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Bedri Bytyqi, sipas të cilit, nëse Ministria dhe Qendra Rajonale nuk do të kishin insistuar në mbrojtjen e shtëpive në Zonën Historike të Prizrenit, tragjedia e sotme nuk do të kishte ndodhur.
Drejtoria që e udhëheq ai dhe ajo e Emergjencave, sipas tij, kanë vite që kanë rekomanduar rrënimin e shtëpive të vjetra në rrugën “Marin Barleti” për shkak të rrezikshmërisë së madhe, por ka qenë dikush tjetër që e ka ndaluar këtë proces, raporton Insajderi.
“Këto drejtori dhe një komision tjetër, kanë rekomanduar që këto objekte duhet të rrënohen sepse dëmtimi i tyre është në masën e madhe. Por siç po shihet, për dikë është më e rëndësishme një shtëpi sesa jeta e njeriut. Për ne ka qenë shumë më e rëndësishme jeta e njeriut sesa një monument”, ka thënë Bytyqi, për Insajderin.
Por sipas Bytyqit, ka qenë Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Kulturës, ato që kanë ndaluar rrënimin e shtëpive.
“Kanë thënë vazhdimisht se nuk duhet rrënuar dhe në të njejtën kohë, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për renovimin e tyre dhe si pasojë e mos reagimit të këtyre institucione ka ardhur deri tek shembja dhe vdekja e fëmijës”, ka thënë Bytyqi./Inajderi.com