Ndërsa Kuvendi shtyu për javën tjetër ratifikimin e demarkacionit, qytetarët në Facebook kanë nisë të votojnë për emrin e vendit: Dardaní apo Kosovë? Nuk është fjala për një referendum, por për një sondazh vullnetar që e ka postuar në rrjetin shoqëror një jurist nga Prishtina.
Getoar Mjeku thotë se “[e]mri Dardania është i saktë historikisht, gjeografikisht dhe politikisht”. Ai prej kohësh ka nisë faqen fushatë në Facebook “Dardania, vendi ynë” për ta promovuar ringjalljen e emrit të lashtë.
Emri Dardani është i saktë historikisht, gjeografikisht dhe politikisht:1. Vendi ynë njihet si Dardani që nga kohët më…
Posted by Dardania, vendi ynë on Friday, 7 November 2014
Ditë më parë, mediet tona përhapën një shkrim të historianes shqiptare Elena Kocaqi, e cila nxit përdorimin e emrin Dardania. Më herët, një organizatë e njohur si Lëvizja Dardania gjithashtu ka bërë thirrje për ripagëzimin e vendit. Këtë synim e kanë përkrahë dikur edhe figura të ndryshme politike si Ibrahim Rugova, Adem Demaçi e Arbën Xhaferi.
Në sondazhin në Facebook, kanë votuar rreth 500 vetë dhe mbi dy të tretat anojnë kah Dardania.
Të tjerët janë për emrin zyrtar Kosovë. Arsyet e tyre janë kryesisht praktike — thjesht, janë mësuar me Kosovën. Por ka dhe nga ata që e shohin emrin Dardania si propozim partiak të përkrahësve të presidentit Rugova ose si përpjekje për të sajuar një identetit të ndarë nga kombi shqiptar.
Kanë mbetë edhe gjashtë ditë deri në mbyllje të sondazhit të Mjekut. Por nëse qytetarët do të kenë mundësinë ta ndryshojnë emrin zyrtar të vendit nuk është e qartë.
Emërtimi Kosovë përdoret zyrtarisht prej shekullit XIX, kur është themeluar Vilajeti i Kosovës, në kuadër të Perandorisë Osmane. Kurse Kuvendi e ka miratuar emrin Kosovë dy herë, duke shfuqizuar emrin Kosovë-Metohi: më 1969, me ligjën kushtetuese të krahinës, dhe më 1990, me deklaratën kushtetuese që shpalli Kosovën republikë.