Inspektorët e AUV-së kontrollojnë qendrën e ETC-së, pas publikimit të videos për bartje johigjienike të mishit

Inspektorët e AUV-së kontrollojnë qendrën e ETC-së, pas publikimit të videos për bartje johigjienike të mishit

Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinës ka konfirmuar për gazetën Insajderi se kanë pranuar videon ku shihet se bëhet transportimi i mishit në kushte johigjienike në një nga dyqanet e mëdha në vendin tonë.

Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “Konsumatori” javën që shkoi ka shpërndarë në faqen e tij në Facebook një video ku shihet se bëhet transporti i mishit në mënyrë johigjienike.

Kaçaniku, i kontaktuar nga gazeta Insajderi, ka bërë të ditur se bëhet fjalë për Qendrën Tregtare ETC, pika në Lipjan.

Lamir Thaçi, zyrtar për informim në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës ka bërë të ditur për Insajderin për masat që janë ndërmarrë nga agjencia për hetimin e rastit.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë menjëherë pas publikimit të videos ka urdhëruar inspektorët për kryerje të kontrollit tek operatori i biznesit dhe gjurmueshmërinë e plotë të rastit”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, disa nga detajet në video nuk përputhen me pamjen fizike të tanishme të objektit.

“Megjithatë është inspektuar qendra tregtare me theks të veçantë sektori i mishit”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, tani objekti ka hyrje të veçantë për furnizim sipas standardit që kërkohet për siguri ushqimore.

“Mjeti transportues gjatë furnizimit mund të ofrohet apo puthitet me portën e furnizimit ku pamundësohet kontakti me ambientin e jashtëm”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, produktet e vendosura në hapësirën shitëse, kanë qenë të pajisura me dokumentacion të nevojshëm dhe njëkohësisht në kushte të mira higjienike.

“Ne si autoritet mbi secilin rast qe lajmërohet nga konsumatoret në çfarëdo forme dalim dhe vërtetojmë dyshimet e paraqitura. Për rastin në fjalë është vërtetuar se nuk ka të bëj me periudhën kohore në të cilën është publikuar në media”, ka thënë Thaçi.

AUV njofton se është marrë deklaratë nga menaxheri i pikës shitëse i cili ka ofruar disa dëshmi të cilat shihen edhe në video.

“Punonjësit shihen me rroba të cilat përdoren në sezon të verës, menaxheri na konfirmoj se njëri nga punonjësit që shihet ne video ka me shumë se një vit qe nuk punon në qendër tregtare. Për të marrë masa mbi një rast gjithmonë duhet të ofrohen dëshmi për kohen kur ka ndodhur. Pamje  të ngjashme të cilat kanë ndodhur ne të kaluarën, ato mund të shfaqen apo përsëriten çoftë tani apo në të ardhmen. Ato nuk përkojnë me realitetin për kohen kur publikohen andaj nuk duhet të shkaktojnë konfuzion për konsumatorët”, ka thënë Lamir Thaçi.

Ndërsa Fatos Islami, zyrta në kompaninë ETC shprehet se publikimi i videos ka qenë tendencioz. “Ajo është një inicizim shumë i moçëm. Ajo është bërë nga një punëtor që ka qenë te ne, por që e ka bërë për të na dëmtuar neve, në interes të konkurrentëve”, ka thënë Islami.

Sipas tij, trajtimi i produketve të mishit në dyqanet e ETC-së bëhet sipas standarede ndërkombëtare, duke filluar nga therja e kafshëve e deri te shitja.

https://www.facebook.com/PortaliLodheKryt/videos/1647359175307991/