Shqiptarë, boshnjakë e serbë … edhe hashash

Shqiptarë, boshnjakë e serbë … edhe hashash

Pak zor e imagjinueshme se çka mund t’i bëjë bashkë shqiptarët, boshnjakët edhe serbët, por megjithatë këtë e ka arritur regjisori i ri Edin Alija me filmin e tij “Nikomenishta” (Kurrgjë kurrkujt)

Në shtratin e vdekjes Mejremi (e luajtur nga Kumrije Hoxha) kujton se si i shpëtoi njërës prej fenomeneve që ishte më se e zakonshme në kohën e saj, këtu e disa dekada më parë – martesave të detyrueshme nga familja.

Martesat për nevoja të familjes, kryesisht pa dëshirën e femrave, për një kohë të gjatë kanë qenë diçka e zakonshme në familjet kosovare të të gjitha komuniteteve, por në filmin “Nikomenishta” (Kurrgjë kurrkujt) të regjisorit Edin Alija bëhet veç një kthesë dramaturgjike dhe së paku një person shpëton nga kjo, për shumëkënd, tragjedi.

“Nikomenishta” është një film i shkurtër që është xhiruar gjatë verës së viti 2017 dhe kishte një buxhet krejt simbolik dhe në ekipin e të cilit kanë bashkëpunuar aktorë shqiptarë, boshnjakë e serbë. Vetë regjisori i përket komunitetit boshnjak në Kosovë, dhe thotë se ekipi i tij punoi pa kompensim.

“E bukura është që krejt ekipi ka besuar në konceptin dhe në idenë e filmit, dhe me shumë entuziazëm dhe vullnet kanë punuar së bashku”, thotë regjisori Alija.

Para këtij filmi, regjisori ka bërë edhe filmin “Fatalist”, si dhe projekte të tjera shkollore para këtyre filmave, por me “Nikomenishta”, Alija ka prekur një temë që ngërthen dramën njerëzore të rrethuar herë pas herë me humor.

Filmi që është pranuar deri tash në katër festivale jashtë vendit, dhe po pret edhe ftesa nga të tjerët, si rrugëdalje nga tragjedia e martesës pa dëshirë për një vajzë të komunitetit boshnjak përdor një fakt tashmë të njohur: përdorimin e substancave narkotike në masë të gjerë nga kosovarët në historinë e para modernizmit të këtij vendi.

Hashashi, diku-diku edhe një bimë tjetër e njohur si “konopi”- që ishte bimë që përdorej pos si bari qetësues edhe për përgatitjen e rrobave, janë pjesë normale e tregimeve të gjysheve dhe gjyshërve tanë si metoda tradicionale për ta ndalur vajin e fëmijëve. Ato përdoreshin si çaj për këtë qëllim.

Pikërisht në filmin e Edin Alijajt, edhe personazhi Mejremi që ishte në dashuri me një djalë të moshës së saj dhe u dha për t’u martuar nga babai i saj për një burrë të vjetër, e gjen idenë e arratisjes nga kjo martesë e detyrueshme tek një nënë që në dasmën e saj po e qetësonte të voglin e saj me çaj hashashi.

“Nikomenishta” ndërthur dramën, tragjedinë që mund të ndodhte, momentet komike dhe shpresën që shfaqet nga diçka shumë e thjeshtë, siç është në këtë rast hashashi, por fundi i tij nuk është krejt i papritur, por nëse zbulohet në këtë shkrim, atëherë pse duhet ta shihni filmin?

Në këtë film, që deri tash është pranuar në Atlanta Playground Film Festival 2018, FIFAK në Tunis e në New Horizons Festival në Rusi, luajnë Kumrihe Hoxha, Ivana Bartunjek, Fatlume Bunjaku, Danica Stankovic, Tarik Music, Rajmonda Ahmetaj, Agim Sylejmani, Flamur Ahmeti, Ermina Destanovic dhe Muha Veseli.

Regjisori i këtij filmi, Edin Alija që aktualisht është absolvent i Regjisë së Filmit dhe Televizionit në Fakultetin e Arteve në Prishtinë ka realizuar edhe filma të tjerë me të cilët është paraqitur në disa festivale ndërkombëtare.