
Hashim Thaçi ka paguar me para të shtetit librin autobiografik të shkruar nga dy gazetarët Suzy Jagger dhe Roger Boys, ka thënë ish-prokurori i Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, Geoffrey Nice, i cili ishte kontraktuar nga presidenti i Kosovës për të punuar lidhur me librin autobiografik të tij.
Një komunikim të avokatit britanik Nice me Qeverinë aktuale të Kosovës, ai shprehet i mllefosur nga mënyra se si e kanë injoruar atë institucionet e Kosovës, ndonëse, ai thotë, i kanë borxh mbi gjysmë milioni euro.
“Nuk kisha asnjë bashkëpunim profesional me Qeverinë e Kosovës, derisa më kontaktoi Petrit Selimi dhe më e pyeti nëse do të punoja për Qeverinë. U pajtova me kushtet financiare që m’i ofroi Selimi”, shkruan Nice në një letër drejtuar Qeverisë së Kosovës, respektivisht Avni Arifit, shef i stafit të Kryeministrit, të cilin e njofton se për këtë çështje e ka informuar edhe ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.
Për disa vjet, avokati anglez ishte angazhuar ta këshillonte Thaçin, kishte ndihmuar në krijimin e një materiali të nevojshëm kur Gjykata Speciale të jetësohej, si dhe e kishte ndihmuar në një pjesë të librit biografik të Presidentit, i cili u botua tash së fundmi me titullin “Shteti i ri – burrështetas modern”.
“Unë, duke m’u kërkuar, kam ndihmuar shkrimtarët e librit biografik të Hashim Thaçit, me historinë e akuzave të trafikimit të organeve, duke menduar se historia nuk ishte vetëm për Hashim Thaçin, por për popullin e Kosovës”, ka shkruar Nice, njofton Gazeta Express.
Nice zbulon që sipas marrëveshjes me Qeverinë, kishte punuar me persona të tjerë, madje edhe me një nga shkrimtaren e librit biografik për Thaçin, Suzy Jagger, që po ashtu është dashur të paguhej.
Në bazë të këtij letërkëmbimi mësohet se, ajo çfarë presidenti Thaçi ka dashur ta paraqes si një libër biografik të shkruar nga dy gazetarë të huaj, në fakt ka qënë një libër i porositur dhe i paguar nga ai.
“Për të kryer punën për Qeverinë, sipas marrëveshjes, ne kemi bashkëpunuar me palë tjera si Alan Donnelly dhe Suzy Jagger dhe gjithashtu Pleurat Halilin”, i kishte shkruar avokati presidentit. “Ne besojmë se ata janë paguar. Nëse kjo ka ndodhur, ne duam të dimë pse me ne është vepruar ndryshe, kur ne kemi pasur rol kyç në punën që është kryer me këta individë”.
Librin autobiografik të presidentit Thaçi e kanë shkruar dy gazetarët britanikë Suzzy Jager dhe Roger Boys. /Insajderi.com