Zëvendëskryeministri i Kosovës ka pohuar se do të kërkojë kompensim pas vendimit të Gjykatës Themelore të Gjakovës, ku u shpall i pafajshëm në rastin “Bellanica”. Ka thënë se organi ndjekës nuk u bazua në prova dhe fakte, por në emrin e tij.
Limaj u pyet se a do të kërkojë kompensim për procesin gjyqësor në të cilin ka kaluar, Limaj tha se asgjë nuk do të kompensonte atë nëpër të cilën ka kaluar. Por ka thënë se do ta ndjekë të drejtën e tij.
“Natyrisht se ne do ta ndjekim të drejtën tonë sipas ligjit, por po them kompensim real nuk ka”, deklaroi ai në RTV 21.
Aktakuza ndaj Limajt për krime lufte ishte ngritur më 28 tetor 2016. Kjo aktakuzë e ngarkonte të pandehurin Fatmir Limaj si pjesëtar i UÇK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.
Hoxha e Binishi ishin vrarë më 2 tetor 1998 në Komunën e Malishevës gjatë kohës së luftës, pasi sipas prokurorisë, ishin marrë nga persona të maskuar e të armatosur me uniforma të UÇK-së.