Organizata terroriste ‘Syri i Popullit’ në listën e saj kishte paraparë të vriste zyrtarët më të larta të shtetit. Në mesin e këtyre zyrtarëve ka qenë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK). Insajderi sjellë të plotë deklaratën e kryetarit të Kuvendit.

Pas aksionit të parë, që organizata terroriste, “Syri i Popullit”, kishte bërë ndaj avokatit, Azem Vllasi, në listë vazhdonin zyrtarët e lartë të shtetit. Prokuroria Speciale ka marrë në pyetje të gjithë personat që kanë qenë në listë për tu vrarë nga kjo organizatë.
Në këtë listë ishte edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shkruan Insajderi.
Veseli ishte ftuar më 15 qershor të vitit 2017 nga Prokuroria Speciale që të dëshmonte për organizatën “Syri i Popullit”, pasi që nga ta ishte konsideruar si tradhtar i vendit.
Veseli në Prokurori ka thënë se për organizatën “Syri i Popullit”, nuk ka dëgjuar asnjëherë, deri në rastin që i ka ndodhur avokatit, Azem Vllasi.
Ndërsa për Murat Jasharin i pari i Kuvendit ka thënë se e njeh vetëm si vëlla të heroit komandantit Kumanova.
Në dëshminë e kryetarit Veseli të cilën e ka siguruar Insajderi, ndër tjerash thuhet se nuk ka asgjë personale me asnjërin prej tyre e as që i intereson për ta, nëse vërtet kanë menduar diçka të tillë përgjegjësia juridike dhe penale bie mbi ta, ka thënë Veseli në Prokurori.
Prokuroria Speciale e Kosovës, ka marr në pyetje edhe presidentin e vendit, Hashim Thaçi pasi që edhe ai ishte në listën e “Syrit të Popullit”.
Thaçi në intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës, planin për ta vrarë atë e ka cilësuar si të nxitur politikisht.
“Gjithë aktivitetin tim jetësor politik e kam zhvilluar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi. Etiketimet e tilla janë me motive politike të nxitura politikisht vetëm për justifikim moral dhe veprime terroriste ndaj meje, ndaj personaliteteve tjera politike dhe dëm të interesit të vendit”, ka thënë Thaçi në intervistimin nga Prokuroria Speciale e Kosovës të cilën e ka siguruar Insajderi.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 10 anëtarëve “Syrit të Popullit”, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halim, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha Rexhep Topalla dhe Murat Jashari. /Insajderi.com
Planet e “Syrit të Popullit” – zbulohen emrat e liderëve që kishin për qëllim t’i vrisnin