Fituesja e medaljes së artë në Paris, xhudistja Majlinda Kelmendi ka ateruar në Aeroportin e Prishtinës sot gjatë ditës por askush nuk ka qenë aty për t’i uruar mirëseardhje.
Edhe pse të gjithë përfaqësuesit në Qeveri, Parlament e institucione të tjera kanë lartësuar fitoren e Majlinda Kelmendit për të tretin vit radhazi, asnjë nga ta nuk e ka marrë mundin ta pres kampionen.
Por kjo për Kelmendin nuk ka fare rëndësi.
“Nuk jam duke u marrë me atë se apo del me më prit dikush apo j. E kam garën time, karrierën time dhe jam e fokusuar në atë, kështu që kush dëshiron me dalë del kush nuk dëshiron është punë e tyre”, ka thënë Kelmendi, për Klan Kosova.
Megjithatë sipas xhudistes nga Peja, është e pa moralshme që emri i saj të përdoret për të bërë famë për vete në kurriz të saj. Ka kritikuar në veçanti televizionin publik, raporton Insajderi.
“Kur është për me u lavdërua krejt kanë qejf, kur po i sjellim Kosovës medalje të mëdha jo të gjithë po kanë qejf me ardhë. Sidomos televizioni shtetëror. Në gara të tilla së bashku me xhudistët vijnë edhe kamerat e televizioneve publike, po këta as në aeroport nuk dalin. S’po di qa me thënë”, ka thënë Kelmendi, raporton Insajderi.
E trajneri i Kelmendit, Driton Kuka, është treguar satirik kur ka folur për injorimin që i është bërë nga institucionet.
“Ndoshta këto sukseset e xhudos pak e kanë lodhur spektrin institucional të sportit sepse me të vërtetë në këto 3-4 vite kemi pasur shumë medalje dhe shumë suksese”, ka thënë Kuka.