Si u rrit çmimi i bukës pasi ra importi i miellit nga Serbia

Si u rrit çmimi i bukës pasi ra importi i miellit nga Serbia

Që nga koha kur Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ka vendosur tarifën prej 0.4% për miellin e importuar nga Serbia në Kosovë, mielli i importuar nga Serbia ka rënë dukshëm. Por sipas raportit të ASK-së, mielli në Kosovë në muajin shkurt të këtij viti për dallim nga muaji i njëjtë me vitin 2017 ka shënuar rritje të çmimit, raporton Insajderi.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar në ‘Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit’ për muajin shkurt të këtij viti ka krahasuara çmimet me muajin e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas këtyre statistikave çmimi në bukë dhe në drithëra është rritur për 2.5%.

“Përkundër mosndryshimit në muajin shkurt 2018 të indeksit të tërësishëm të harmonizuar të çmimeve të konsumit, me muajin shkurt 2017, në këtë periudhë vërehen disa ndryshime të çmimeve të artikujve dhe shërbimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet: bukë dhe drithëra (2.5%); mish (1.5%); vajëra dhe yndyra (2.7%); pemë (12.5%); kafe, çaj dhe kakao (4.6%); duhan (3.5%); shërbime për transport (2.2%)-(ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.0% në IHÇK”, thuhet në publikimin e ASK-së për të cilin Insajderi ka raportuar gjatë ditës së sotme.

Rritet çmimi i bukës, mishit, kafes dhe duhanit

MTI në fund të vitit të kaluar kishte marrë vendim për të vendosur tarifën për importin nga Serbia. Nga data 23 tetor mielli nga Serbia që futej në Kosovë ka qenë i detyruar ta paguajë tarifën prej 0.04 cent.

Një muaj pasi ishte marrë ky vendin importi i miellit nga ky vend në Kosovë kishte rënë për rreth 78%. Krahasuar muajin dhjetor të vitit 2017 me atë të vitit 2016 mielli i importuar nga Serbia në Kosovë kishte rënë nga 3.8 milionë kilogram në 800 mijë.

“Duke krahasuar periudhën e njëjtë të vitit 2016, të importit të miellit nga Serbia, shohim se rënia importit te miellit nga Serbia nga 23 tetori, është për 3,033,785.50 KG”, kishte deklaruar në fund të vitit të kaluar Adriatik Stavileci.

Ky vendim i Ministrisë së Tregtisë kishte ardhur pas ankesës së Shoqatës së Mullisëve të Kosovës me arsyetimin se Serbia po importon miell nën çmimin e tregut në Kosovë./Insajderi.com