Skena politike në Kosovë, që nga përfundimi i luftës së fundit e deri më sot, ka pësuar ndryshime të mëdha. Nga dominimi politik i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në fillim të viteve të 2000-ta, tek dominimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e deri tek rritja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! (LVV) si subjekti me mbështetjen më të madhe elektorale në zgjedhjet e fundit. Situatat e ndryshme politike dhe ekonomike, klientelizmi, vjedhja e votave, rezistenca kundër projekteve të dëmshme për vendin, kanë determinuar këto ndryshime të mëdha në konstalacionin politik të vendit në këto 18 vitet e fundit. Por, përgjatë kësaj periudhe një konstantë e ka ndjekur gjithmonë strukturën politike në vend, e ajo ka qenë ekzistenca e subjekteve të vogla, të cilat nuk e kanë bërë asnjëherë ndryshimin e situatës politike, ekonomike e sociale, për më tepër as nuk e kanë synuar atë. Duke pretenduar se do të merren me “gjërat e përditshmërisë”, ato e kanë abstrahuar historinë dhe nuk e kanë krijuar asnjëherë atë. Madje, në shumë raste duket se veprojnë në konkurencë me historinë dhe zhvillimet e saj. Por, cili është faktori kryesor që i dallon subjektet e mëdha politike, nga këto të voglat?
Dallimi është tek fuqia e organizatës në terren. Prandaj, për t’u shndërruar në subjekt të madh politik, duhet kohë e gjatë e përpjekje e madhe. Kjo sepse ndërtimi i organizatës në terren kërkon shumë punë – për të fituar besimin e njerëzve që të të bashkohen në përpjekje politike.
Në Kosovë sot janë tri subjekte të mëdha politike: LVV, LDK dhe PDK. Dy të fundit janë krijuar përgjatë apo kanë shfrytëzuar inercionin e viteve të 90-ta. Përveç organizatës e cila u ka mbetur nga vitet e 90-a, ato kanë shfrytëzuar klientelizmin, privatizimin, lejet e ndërtimeve, kompromiset në raport me Serbinë, etj. për ta fuqizuar organizatën e partisë dhe për t’u etabluar në skenën politike. Prandaj, pjesën dërmuese të organizatës së LDK-së dhe PDK-së më së shumti mund ta takosh në burokracinë shtetërore, ndërsa pjesën me të fuqishme të tyre e gjenë tek kompanitë e mëdha private e organizatat e ndryshme.
Në anën tjetër, LVV është krijuar si subjekt i ndryshimit në vend dhe është rritur e etabluar në skenën politike nëpërmjet përpjekjes konsistente për ta arritur atë ndryshim. LVV karakterizohet me një organizatë të madhe, e cilae mbushë buxhetin nga pagesa e anëtarësisë, donacionet e vogla dhe të mesme dhe që ka shpenzimet më të vogla financiare përgjatë fushatave elektorale. Këto shpenzime minimale mundësohen vetëm për shkak të vitalitetit të organizatës së saj dhe shtrirjes së saj në çdo pjesë të Kosovës, në Shqipëri dhe në diasporë. Për shembull, përgjatë fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2013, vetëm në Komunën e Prishtinës LVV ka pasur rreth 3,000 vullnetarë përgjatë tërë fushatës; ushqimin për mijëra vëzhguesë e komisionerë e kanë përgaditur vullnetarisht familjet e anëtarëve dhe aktivistëve, etj. Kontributi i këtyre vullnetarëve ka qenë me kohë të ndryshme, por kjo gatishmëri masive ka bërë që LVV të ketë shpenzimet më të ulëta në fushatat zgjedhore. Duhet pasur parasysh se kjo organizatë nuk është krijuar brenda natës, sepse një gjë e tillëështë thjeshtë e pamundur. Kjo organizatëështë krijuar në saje të programit politik të subjektit, konsistencës politike dhe qindra aktiviteteve të brendshme e publike që organizon LVV përgjatë secilit vit.
Por, ndryshe qëndron situata me subjektet e vogla. Ato përgjithësisht u krijuan vetëm në dimensionin e përfaqësimit, pa organizatë serioze në terren, e pa përpjekje për t’a krijuar një të tillë, por duke u bazuar vetëm në shfrytëzimin e “figurave publike” të krijuara në shoqëri civile, apo në subjekte të tjera politike. Subjektet e reja, të krijuara përgjithësisht nëpërmjet konferencave për media, nuk kanë shtrirje organizative në tërë vendin. Ato janë me numër të vogël të anëtarëve dhe me aktivitete të pakta. Mungesa e aktiviteteve, përveç si pasojë e mungesës së anëtarëve, vjen edhe si pasojë e mungesës së financimit. Pa organizatë të mirëfilltë e me pak anëtarë, këto subjekte nuk mund të kushtëzojnë politikat e qeverive qendrore apo lokale. Ato janë plotësisht impotente dhe aktiviteti i tyre fillon e përfundon tek konferenca për media dhe tek vota në institucione. Për të mbijetuar, këto subjekte ose përfundojnë duke pranuar donacione të mëdha e jotransparente, ose synojnë përfshirjen sa më të shpejt në qeverinë qendrore e lokale, e në të shumtën e rasteve i synojnë që të dyja bashkë. Pra, tek këto subjekte nuk mund të gjejmë programin konsistent politik, ekonomik e social, por gjejmë qendrime jokonsistente të cilat i përshtaten rrethanave të krijuara nga të tjerët.
Ngjashëm me subjektet e vogla si Alternativa Demokratike e Kosovës, LB e NISMA, këto subjekte mjaftohenme udhëheqjen e disa ministrive apo drejtorive, sa për të punësuar një pjesë të anëtarësisë së tyre, në mënyrë që ta sigurojnë mbijetesën e partisë. Prandaj, në marrëveshjet e tyre për koalicion asnjëherë nuk shohim politika të cilat do ta ndryshonin situatën dhe do ta zhvillonin vendin. Synimi gjithmonë është arritja tek pushteti, në mënyrë që të shfrytëzohet klientelizmi si metodë mbijetese. Ato të cilat nuk e arrijnë këtë synim të pushtetit, përgjithësisht shuhen brenda një apo dy mandateve.
Pra, dy janë mundësitë e subjekteve të reja politike të cilat ndërtohen pa organizatë serioze në terren: shuarja e shpejt apo bashkimi me njërën nga subjektet e regjimit për ta siguruar mbijetesën. Këto kanë qenë mundësitë e tyre deri më sot, këto do të jenë mundësitë e tyre edhe në të ardhmen. Sepse pa punën në terren, fokusi mbetet vetëm tek institucionet. E ato në vend se të mbeten vendi ku shprehet synimi politik i qytetarëve, shndërrohen në vendin ku krijohen e tregtohen qendrime politike, të shkëputura nga qytetarët. Por, shkëputja nga qytetarët është rezultat edhe i mungesës së një orientimi politik, i cili do të paraqitej si alternativë e skenës aktuale politike. Kjo skenë sot është e përmbushur me partitë të cilat kanë ndjekur një orientim neoliberal dhe me LVV-në në anën tjetër, e cila ka kundërshtuar këto politika, duke ofruar një alternativë socialdemokrate që nga manifesti i saj, tek programi politik e programi qeverisës. Një alternativë nga këto aktualet, duket e pakuptimtë brenda kontekstit historik në të cilin jetojmë. Prandaj, subjektet e reja detyrohen të kopjojnë programe, por me anë të të cilave nuk paraqiten si alternativë politike për qytetarët. Pra, ato nuk krijojnë mundësi për vendin, por synojnë riprodhimin e situatës aktuale pafundësisht, në mënyrë që të mbijetojnë vet nga mandati në mandat.Por, vendi ynë nuk ka nevojë për riprodhim të kësaj situate, por e ka të domosdoshme ndryshimin radikal të saj.