Në biznesin e deputetit Ramiz Kelmendi kapen 550 kilogram mish të prishur

Në biznesin e deputetit Ramiz Kelmendi kapen 550 kilogram mish të prishur

Gjatë muajit shkurt Inspektorati i komunës së Mitrovicës gjeti 1.1 ton mish të prishur në dy biznese të mëdha në këtë komunë.

Pasi në frigoriferët e VIVA FRESH’it gjetën 573 kg mish të prishur, inspektorët edhe në ambientet ku mbahet dhe prehet mishi në ETC, biznes i deputetit të LDk-së Ramiz Kelmendi, gjetën sasinë prej 550 kg mishi në gjendje jo të duhur.

U konstatua se mishi ishte i prishur, për çka edhe mor vendim që të asgjësohet, shkruan gazetametro.net.

E kur u konstatua se mishi i kapur ishte i prishur dhe duhej asgjësuar, pranë ETC’s u vendos një kamionetë e pastrimit, e cila zakonisht mbledh mbeturina të qytetit. Aty u hodh më shumë se gjysmë toni mish, i cili sipas inspektorëve, kishte rrezikuar shëndetin e konsumatorëve.

Në procesverbalin e siguruar nga gazetametro.net, inspektorët kanë shkruar se duke u bazuar në gjendjen e konstatuar mishi duhet të asgjësohet, në të kundërtën do të merreshin masat.

U bë e ditur, po ashtu, që Inspektorati ka nisur edhe procedurat ligjore ndaj pronarit, duke inicuar kërkesë për nisjen e procedurave kundërvajtëse.

Por stafi i ETC’së që zakonisht shet mish, më 16 shkurt hodhi një sasi të konsiderueshme të tij. Në fotografi shihen punëtorët teksa bartin mishin me karroca të marketit dhe i hedhin në kamionetën e mbeturinave.

Mishi i cili u hodh ishte i destinuar të shitej për konsumatorët e këtij marketi në Mitrovicë, e cila gjë as nuk u mohua e as pohua nga menaxhmenti i kompanisë.

Metro ka biseduar dy herë në telefon me zyrtarët e kësaj kompanie, por të njëjtit nuk janë përgjigjur konkretisht për rastin. Një zyrtare e lartë i tha Metros që do ta drejtojë çështjen tek njerëzit kompetent, ndërkaq një zëvendës menaxhere në Mitrovicë kërkoi edhe pak kohë për të konfirmuar informacionin. Ani pse gjithçka qartësohej me dokumentet zyrtare, Metro priti për aq kohë sa kërkoi zyrtarja e kompanisë, por telefoni heshti.

Ndërkohë, edhe për këtë rast drejtori i Inspektoratit Hysni Ahmeti tha se qëllimi ishte i njëjtë. Sipas tij, urdhri për kontrolle është dhënë me qëllim të ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve.