Pronari i “Euro IDA” zbulon edhe kompaninë e dytë që dyshohet se importoi mish nga Belgjika

Pronari i kompanisë "Euro IDA", i cili kishte kërcënuar me vrasje ekipin e Insajderit nëpërmjet një bisede telefonike, kishte treguar në të njëjtën telefonatë edhe emrin e kompanisë së dytë, që sipas tij, ka importuar mish nga kompanitë belge të mishit. Ai kishte thënë se nuk është i vetmi që ka importuar mish nga Belgjika.

Pronari i “Euro IDA” zbulon edhe kompaninë e dytë që dyshohet se importoi mish nga Belgjika

Skandali i mishit të importuar nga Belgjika në Kosovë është bërë kryetemë që ende po vazhdon duke angazhuar autoritetet në të dyja vendet që të nisin edhe hetime gjyqësore.

Në Belgjikë është konstatuar se kompania belge “Veviba”, me bazë në Bastonjë, ka eksportuar mish 12 vjet të vjetër në Kosovë. Agjencia Federale për Sigurimin e Ushqimit në Belgjikë (FASFC) ka konstatuar se kompania “Veviba” kishte shitur mish me afat të skaduar. Nën hetime për eksportim të mishit të prishur në Kosovë, është edhe kompania tjetër belge “Vanlommel”.

Ndërkaq, Insajderi ka mësuar se dy kompani të ndryshme kanë importuar mish nga Belgjika.

Insajderi kishte gjetur kompaninë e parë që ka importuar mish të dyshimtë nga Belgjika, në një hulumtim të publikuar më 14 mars të këtij viti. Përmes këtij hulumtimi, Insajderi zbuloi se kompania nga Rahoveci “Euro IDA” kishte importuar mish nga Belgjika në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Drejtori i kompanisë “Euro IDA”, Anton Jupa, madje kishte kërcënuar ekipin e Insajderit, por në të njejtën telefonatë kishte treguar edhe emrin e kompanisë së dytë, që sipas tij, ka importuar mish nga kompanitë belge të mishit. Ai ka thënë se nuk është i vetmi që ka importuar mish nga Belgjika.

“Nuk jom veç unë. Mishi kur është asgjësu i kompanisë Veviba, është importu nga kompania SHPK Beni Suharekë. Ka qenë edhe Valdet Gjinovci [kryeshefi i AUV] aty”, ka thënë Jupa.

Në shtatorin e vitit 2016, kur Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dyshonte në cilësinë e 20 tonëve mish që ishin nisur nga kompania belge “Veviba” për në Kosovë. AUV kishte njoftuar Agjencinë Federale për Sigurimin e Rrjetit Ushqimor të Belgjikës (FASFC).

AUV nuk e mohon

Ndërkaq, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) në Kosovë, ka treguar sot për Insajderin se janë dy kompani që kanë importuar mish nga Belgjika në Kosovë.

Lamir Thaçi, zëdhënës i AUV, ka deklaruar se bëhet fjalë për dy kompani të ndryshme që kanë importuar mish belg në Kosovë.

Kur Insajderi e ka pyetur atë nëse bëhet fjalë për kompaninë “Beni” nga Suhareka, zyrtari i AUV ka thënë se nuk mund as ta mohojë, e as ta pohojë një informacion të tillë.

“Nuk i kam informacionet zyrtare, por unë as nuk mund ta mohojë e as nuk mund të ta pohojë”, ka thënë Thaçi për Insajderin.

Fabrika e përpunimit të mishit “BENI” nga Suhareka ka filluar aktivitetin që nga viti 2000. Ajo është njëra nga dhjetra kompanitë kosovare që merret me importin e mishit.

Prokuroria fillon hetimet ndaj dy kompanive në Rahovec e Suharekë

Prokuroria Themelore në Prizren ka filluar sot hetimet mbi dyshimin për mishin e prishur dhe ka bastisur dy kompani të industrisë së mishit në Rahovec dhe Suharekë.

Prokuroria nuk ka treguar emrat e dy kompanive në të cilat ka kryer bastisje sot në Rahovec dhe Suharekë , mirëpo është e ditur se kompania nga Rahoveci “Euro IDA” kishte importuar mish nga kompania belge Veviba.

Ndërkaq, për kompaninë Beni nga Suhareka, dyshimet i ka ngritur pronari i “Euro IDA”, Anton Jupa.

“Kjo prokurori përmes urdhrit të gjyqtarëve kompetent të procedurës paraprake ka kryer bastisje dhe kontroll në shtëpitë dhe lokalet e subjekteve juridike, njëra në territorin e Rahovecit dhe tjetra të Suharekës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se ka sekuestruar provat e nevojshme për procedurë penale, si dhe sasi të mishit me afat të skaduar në këto dy kompani, emrat e të cilave nuk i ka bërë të ditura.

Sipas institucionit të Prokurorisë, të dy këto kompani dyshohet se kanë importuar mish me cilësi të dyshimtë nga Belgjika.

“Sipas detyrës zyrtare dhe në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Shtetit, ka filluar hetimet kundër personave përgjegjës dhe subjekteve juridike, të cilat kanë importuar nga Belgjika sasi të mishit me cilësi të dyshimtë, në drejtim të veprës penale: prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor, nga neni 267, të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Mediat belge raportojnë për mish 12 vjet të vjetër, të eksportuar në Kosovë

Mishi që ishte eksportuar nga kompania belge Veviba për në Kosovë ndonjëherë kishte qenë me afat të skaduar prej 12 vitesh.

Sipas asaj që raportoi të martën gazeta belge Brussels Times, një dokument gjyqësor tregon se një kamion mish nga kompania Veviba kishte arritur në Kosovë më 19 shtator të vitit 2016. Shumica e mishit ishte asgjësuar, dhe ishte konstatuar se mishi kishte qenë 12 vjet i vjetër.

Gjithashtu u zbulua se një pjesë e mishit kishte ardhur nga disa thertore të tjera belge, siç janë Izegem dhe Harelbeke dhe ishin ri-paketuar në kuti që mbanin markën tregtare të kompanisë Veviba, raporton Insajderi. /Insajderi.com