Fotografi dhe videofilmime – provat që ka siguruar Specialja

“Aktualisht Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke analizuar dhe vlerësuar rreth 700.000 faqe dokumentacion që përfshin rreth 70.000 shkresa, si dhe rreth 6.000 materiale të tjera të ngjashme, ndër të tjera videofilmime, fotografi, transkripte dhe sende të tjera të mbledhura gjatë hetimeve të deritanishme,” tha David Schwendiman.

Fotografi dhe videofilmime – provat që ka siguruar Specialja

Reflektimet e Prokurorit të Specializuar mbi përvojat dhe sfidat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar në fjalën e lamtumirës

Në fjalën e tij të fundit publike si Prokuror i Specializuar që përfshiu një spektër të gjerë temash, z. David Schwendiman foli për zanafillën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, (ZPS), sfidat me të cilat është përballur si Prokuror i Specializuar, sfidat me të cilat do të përballet institucioni në vitet e ardhshme, si edhe shkaqet pse puna hetimore e udhëhequr prej tij është e veçantë, kërkon kohë dhe mjete e punë intensive.

Schwendiman mandati i të cilit si Prokuror i Specializuar mbaron në mesnatë më 31 mars kur përfundon edhe emërimi i tij si punonjës i Shërbimit të Jashtëm në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, mbajti një fjalë në Qendrën Grotius të Universitetit të Leidenit në Hagë.

Ai shpjegoi me hollësi disa nga politikat e ndjekura që shënuan mandatin e tij si Prokuror i Specializuar. Në bazë të rregullës 86 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave shpallur nga Dhomat e Specializuar në korrik të vitit 2017, para dorëzimit të një aktakuze, Prokurori i Specializuar duhet të bindet se “ekziston dyshim i bazuar mirë se një i dyshuar ka kryer, ose ka marrë pjesë në kryerjen e një vepre penale brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara”.

Krahas kësaj dhe duke u nisur nga përvojat më të mira profesionale, z. Schwendiman theksoi se kishte udhëzuar punonjësit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që të bëjnë një vlerësim të mëtejshëm për të përcaktuar nëse duhet të ngrihen aktakuza; me fjalë të tjera, nëse aktakuza e propozuar mbështetet nga: prova që janë të disponueshme për t’u paraqitur gjatë gjykimit dhe prova të cilat pasi të jenë ekzaminuar nga një mbrojtje e mirinformuar, e përgjegjshme dhe e fuqishme, me gjasë të jenë të mjaftueshme në aspektin sasior dhe cilësor që të çojnë në vendim fajësisë të konfirmueshëm edhe në fazën e apelit në lidhje me çdo të akuzuar dhe akuzë të propozuar.

Schwendiman gjithashtu shpjegoi se në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut së bashku me instrumente të tjera ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, janë detyruese për Prokurorin e Specializuar dhe Dhomat e Specializuara. Kjo do të thotë se Prokurori i Specializuar gjithashtu ka detyrimin që t’u mundësojë viktimave të përfitojnë të drejtat që u garantohen prej instrumenteve të tilla.

“Një ndër përgjegjësitë kryesore është detyrimi i hetimit të arsyeshëm të vdekjes dhe zhdukjes së viktimave të krimeve brenda mandatit të Prokurorit të Specializuar, dhe i gjetjes, zhvarrosjes dhe identifikimit të atyre që ende konsiderohen të zhdukur, në mënyrë që t’u rikthehet identiteti dhe t’u dorëzohen të afërmve të tyre,” tha z. Schwendiman, duke theksuar se ai gjithnjë ka ndjekur politikën e “angazhimit të plotë në përputhje me mandatin tonë dhe brenda mundësive tona”.

Prokurori i Specializuar vuri në dukje përkushtimin e vazhdueshëm të punonjësve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar për mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve të cenueshëm.

Schwendiman ceku edhe vështirësitë e procesit të mbledhjes së dokumentacionit dhe gjetjes së dëshmitarëve dhe materialeve të tjera që mund të kenë vlerë provuese, duke argumentuar se për këtë duhet durim, këmbëngulje si edhe diplomaci.

“Aktualisht Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke analizuar dhe vlerësuar rreth 700.000 faqe dokumentacion që përfshin rreth 70.000 shkresa, si dhe rreth 6.000 materiale të tjera të ngjashme, ndër të tjera videofilmime, fotografi, transkripte dhe sende të tjera të mbledhura gjatë hetimeve të deritanishme,” tha ai.

Këto detyra duhet të kryhen para plotësimit të kushteve për ngritje aktakuzash të shpjeguara nga z. Schwendiman.

“Duhet ta bëjmë punën mirë dhe në mënyrën e duhur me qëllim që të sigurojmë plotësimin e standardit që përmenda më lart dhe të shmangim vonesat dhe problemet e qenësishme në një fazë të mëvonshme,” tha ai, duke theksuar se një gjë e tillë gjithashtu ka “rëndësi thelbësore në qoftë se duam të realizojmë synimin për arritjen e rezultateve që janë legjitime dhe konsiderohen si të tilla nga ata të cilët do të ndikohen prej tyre.”

Prokurori i Specializuar foli edhe për nxjerrjen para përgjegjësisë dhe theksoi: “Detyra kryesore e prokurorit është përcaktimi i përgjegjësisë; përgjegjësi individuale për krime të vërtetuara jashtë dyshimit të arsyeshëm në bazë të provave të mbledhura me mjete dhe mënyra të pranuara si të ndershme dhe të besueshme jo vetëm në bazë të standardeve ndërkombëtare, por edhe në sistemin vendor përkatës.