I dorëhequri nga Vetëvendosje ironizon me deklaratën e Albin Kurtit

I dorëhequri nga Vetëvendosje ironizon me deklaratën e Albin Kurtit

Ish-nënkryetari i Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu, ka ironizuar me deklaratat e kryetarit të kësaj partie Albin Kurti, se Prishtina është si një xhungël betoni

Ditë më parë Kurti kishte thënë se Prishtina, që udhëhiqet nga Shpend Ahmeti i cili së fundmi u dorëhoq nga VV-ja, është kthyer në xhungël betoni.

Si kundërpërgjigje ndaj tij, Sejdiu që në mandatin e parë të Ahmetit ishte nënkryetar i Prishtinës, ka thënë me ironi se “të mirat në Prishtinë janë bërë vetëm nga ata që kanë mbetur në Vetëvendosje”.

“Edhe Liburn Aliu edhe Xhelal Sveçla (ish-drejtorë në Komunën e Prishtinës) i kanë ndalur ndërtimet pa leje. Shpend Ahmeti nuk ka qenë fare në Prishtinë. Krejt meritat në Prishtinë i kanë ata që kanë mbetur në Vetëvendosje. Të tjerët s’kanë bërë gjë”, ka thënë Sejdiu, që tash është shef i Grupit Parlamentar Deputetët e Pavarur në Interaktiv të Kohavisionit.

Sejdiu ka folur edhe për ndarjen e fondeve për Grupin e Deputetëve të Pavarur, si dhe për kërkesën që Aida Dërguti të largohet nga pozita e nënkryetares së Kuvendit, pozitë që e kishte marrë sa ishte pjesë e VV-së.

Sipas Sejdiut, VV-ja i ka thënë grupit prej 12 deputetëve të larguar nga kjo parti se çështjen e ndarjes së financave duhet ta ndjekin përmes institucioneve ligjore. Ai ka bërë të ditur se një gjë të tillë GDP u ka kërkuar për shkarkimin e Aida Dërgutit.