Disa orë pasi është ngritur aktakuzë ndaj tij, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, e ka nisur fjalën e tij në një ngjarje te organizuar për lumturinë në Prishtinë, duke e komentuar aktakuzën e ngritur ndaj tij më herët nga Prokuroria e Shtetit.
Pak orë pasi prokuroria e shtetit i ngriti aktakuzë për “shkelje të ligjit dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”, ministri i Mjedisit ka marrë pjesë në ngjarjen “Eudaimoia” të organizuar në Shkollën Amerikane të Kosovës – ASK sot pasdite, ku ka folur në cilësinë e psikologut për lumturinë.
“Ky lajm që doli para rreth dy orësh, më prishi pak lumturinë”, ishin fjalët e para që u drejtoi nxënësve ministri Agani, të cilëve u shpjegoi edhe mënyra se si ta rikthejë lumturinë, kur ajo shndërrohet në ankth, raporton Insajderi.
Ndërsa, sa i përket aktakuzës së ngritur ndaj tij, ai potencoi se këto akuza të Prokurorisë së Shtetit “janë të paqëndrueshme”.
“Aktakuza e ngritur ndaj meje është e paqëndrueshme por këto janë punë të shtetit dhe unë nuk do të merrem me to sot”, tha ai, njofton Insajderi.
Prokuroria ka ngritur sot aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 64 të pandehurve në krye me ministrin Ferid Agani.
Në këtë aktakuzë janë të përfshirë pos ministrit Agani, një sekretar i përgjithshëm i një ministrie, 44 mjekë dhe një infermier të punësuar në institucionet publike shëndetësore, si dhe 13 persona që kanë punuar ose punojnë në institucionet private shëndetësore, ku një numër prej tyre janë udhëheqës ose aksionar të këtyre institucioneve private shëndetësore.
Të pandehurit Ferid Agani dhe Gani Shabani, sekretar i përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë janë akuzuar për shkak të veprës penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. /Insajderi.com