Shteti gueril

Shteti gueril

Organizimet guerile, janë përgjithësisht grupe të vogla të cilat luftojnë kundër organizimeve më të mëdha. Një ndër taktikat që ato përdorin më së shpeshti janë  taktikat “hit-and-run” (sulmo-dhe-ik), me ç’rast organizimet guerile futen në një territor, jo për të vënë kontroll aty, por për të realizuar aksionin dhe pastaj tërhiqen përsëri.

Mund të duket se paragrafi i parëështë hyrje për ndonjë trajtim të luftës guerile të UCK-së, por jo. Këto metoda guerile u përdoren dje, sikurse me 2011, nga shteti ynë, për të simuluar shtrirjen e sovranitetit edhe në veri të Republikës sonë. Pasojat e skenarit të Hashim Thaçit e Bajram Rexhepit, të vitit 2011, i dimë të gjithë. Policia u dërgua në veri pa ndonjë plan të përgaditur e të trajtuar mirë dhe pa paisje të mjaftueshme. Ajo u kthye prapa pas pak kohe, me trupin e pa jetë të një polici dhe duke mos shtrirë sovranitetin në atë pjesë të vendit. Shqiptarët në komunat veriore të vendit, mbetën pa mbrojtje dhe të rrezikuar nga strukturat kriminale të Serbisë të cilat u mobilizuan pas aksionit policor.Çdo ndryshim në terren nga ai skenar, iu përshtatë më së miri politikave hegjemoniste të Serbisë në veri të vendit, të cilat u përdoren pastaj si argumente në negociatat që vijuan në Bruksel.

Njësoj, si në korrik të 2011-ës, u veprua edhe dje. Edhe kësaj radhe me ndikim të Hashim Thaçit,forcat e Policisë së Kosovës u dërguan në veri të Mitrovicës, për një aksion tjetër “hit-and-run.” Tani synimi ishte për të treguar sovranitetin e Republikës, duke e arrestuar Marko Gjuriqin i cili kishte hyrë brenda Kosovës pa leje nga autoritetet e vendit, siç kishte bërë edhe shumë herë më parë. Sigurisht se secili person që hynë në Kosovë ilegalisht duhet të arrestohet, e veçanërisht zyrtarët e Serbisë të cilëve u ndalohet hyrja, por i tërë ai aksion policor ngjante më shumë me një “show”, sesa me një arrestim për mosrespektim të vendimeve të shtetit të Kosovës. Se nuk kemi sovranitet në veri, e pranoi vet shteti ynë, kur Gjuriqin nuk e dërguan në stacion policor në veri të Mitrovicës, por e sollën në Prishtinë. Se ky aksion nuk kishte të bënte asgjë me sovranitetin, por ishte vetëm një “show”, e pranoi vet shteti ynë, kur Policia e nxorri Gjuriqin nga makina dhe e shetiste si trofe deri tek Stacioni Policor “Qendra”, në Prishtinë. Gjuriq u lirua brenda dy orëve, por situata në veri mbeti e tensionuar dhe shqiptarët atje mbetën përsëri pa mbrojtje.

Është fakt i pamohueshëm që shteti ynë nuk ka kurrfarë autoriteti në komunat veriore të vendit. Në ato Komuna qeverisë Serbia nëpërmjet strukturave të saj kriminale. Sistemi edukativo-arsimor është plotësisht nën sistemin e Serbisë, ashtu sikurse sistemi shëndetësor. Sistemi policor e gjyqësor vetëm mbanë të veshur uniformën e Republikës sonë, sepse përndryshe është plotësisht nën kontrollin e Serbisë. Ndërmarrjet publike janë nën kontroll të Serbisë, e ndërmarrjet private njohin vetëm Serbinë si autoritet. Kjo situatëështë krijuar si rezultat i mashtrimit të shqiptarëve menjëherë pas luftës nga Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kur nuk u lejuan të kthehen në veri të Mitrovicës, pastaj si rezultat i spastrimit etnik që ka bërë Serbia në veri të Mitrovicës në vitin 2000 dhe si rezultat i pasivitetit të shtetit të Kosovës në raport me gjendjen në komunat e veriut.

Bashkëjetesa mes serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve nuk ka qenë asnjëherë e pamundshme. Ajo që nga paslufta është pamundësuarnga paradigma raciste e misioneve ndërkombëtare, se shqiptarët dhe serbët duhet ta tolerojnë njëri tjetrin, sepse përndryshe nuk mund të jetojnë së bashku. Ndërsa, në komunat në veri të vendit, bashkëjetesa është penguar nga strukturat kriminale të Serbisë, të cilat kanë frikësuar serbët e Kosovës dhe kanë rrahur, deportuar e vrarë banorët shqiptarë. Prandaj, tensionimi i situatës të cilin e kanë sjellë aksionet “hit-and-run” të Hashim Thaçit, vetëm se i kanë kontribuar përkeqësimit të gjendjes në terren mes shqiptarëve dhe serbëve. Serbët janë unifikuar para aksioneve policore, ndërsa shqiptarët janë lënë të vetëm e janë rrezikuar pas tyre.

Por, shteti ynë nuk do të arrijë asnjëherë të shtrijë sovranitetin e tij e të siguroj bashkëjetësën, në komunat veriore të vendit, nëse vazhdon të sillet si një organizatë guerile. Republika jonë duhet të shtrijë sovranitetin e saj nëçdo cep të vendit, me strategji politike, sociale e ekonomike, përveçse me atë të sigurisë. Sovraniteti i Republikës sonë tregohen më së miri duke i ndërprerë negociatat për Kosovën, me Serbinë dhe duke e filluar dialogun me banorët shqiptarë, serbë e të etnive të tjera të cilat jetojnë në komunat veriore dhe në komunat e tjera me shumicë serbe. Nuk mund të themi se po tregojmë sovranitet, kur arrestohet një zyrtar serb në Kosovë, mëpak se një javë pasi që presidenti i vendit darkoi me presidentin e Serbisë, Vuqiç, ku u diskutuan çështjet e brendshme të Kosovës. Duhet të bëhen investime për revitalizimin e Trepçës, me ç’rast do të punësoheshin deri në 8,000 punëtorë të etniteteve të ndryshme. Shqiptarët e dëbuar gjatë luftës dhe gjatë shkurtit të vitit 2000, duhet të kthehen në pronat e tyre. Policia e Kosovës duhet të ketë prani më të madhe dhe të përhershme në komunat e veriut për të pamundësuar veprimin e strukturave ilegale të Serbisë. Gjithashtu, shteti ynë duhet të pamundësoj financimin e këtyrë strukturave dhe t’i ndalë veprimet ilegale ekonomike në veri të vendit.

Shteti ynë duhet të kaloj nga veprimet guerile tek veprimet e një shteti sovran. Nga aksionet një ditore, në strategji afatgjata politike, sociale, ekonomike dhe të sigurisë. Pra, të mos kemi prani sporadike në komunat tona në veri, por te kemi prani dhe kontroll të përhershëm. Sovraniteti nuk shtrihet me ndërhyrje të shpeshta e të shkurta, por me prani të perhershme e kontroll të plotë.Të kalojmë nga integrimi i shovenistëve të Listës Serbe në Qeveri e Kuvend, tek integrimi i banorëve serbë të Kosovës në shoqërinë e vendit, nëpërmjet dialogut demokratik e zhvillimit ekonomik e social. Të kalojmë nga thirrja për themelimin e “Zajednicës”, për bosnjëzimin e Kosovës, tek ndërprerja e negociatave me Serbinë për çështjet e Kosovës. T’i trajtojmë ato çështja ashtu siç janë, çështje të brendshme të Republikës, ku të gjithë banorët e saj, pa dallim etnie, shihen si qytetarë të vendit me të drejta të barabarta, e jo që një pjesë e tyre të shihen si qytetarë të Serbisë brenda Kosovës, për fatin e të cileve duhet të pyetet Serbia.

Autori është në përfundim të studimeve për MBA në North Dakota State University