Vuçiq e krahason veten me Millosheviqin dhe Koshtunicën e Tadiqin

Vuçiq e krahason veten me Millosheviqin dhe Koshtunicën e Tadiqin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka dramatizuar situatën që ndodhi në Mitrovicë duke thënë se serbëve nuk do t’u përsëritet e kaluara. Ai ka përmendur operacionet “Oluja” dhe “Bljesak” duke thënë se nuk do t’i lejojë ato, edhe pse nuk është “karizmatik si Millosheviqi”. Vuçiqi duke folur për arrestimin e Gjuriqit ka thënë se serbët kanë pasur armë por s’kanë dashur t’i përdorin.

I pyetur nëse ka qenë i gatshëm për dërgimin e ushtrisë në Kosovë, Vuçiq ka thënë se e ka këtë të drejtë me Kushtetutën e Serbisë.

Por, ai ka thënë se në Veri nuk mund të dërgohen “forca me armë të gjata pa e lejuar banorët lokalë në pajtim me marrëveshjen e Brukselit dhe aktet që i kemi nënshkruar me NATO-n”.

“Nëse kjo ndodh atëherë ne do të shohim se çfarë do të bëjmë për të mbrojtur popullin tonë”, ka thënë ai.

Vuçiqi ka thënë se falë përgjegjësisë së serbëve është ruajtur paqja dhe stabiliteti në Veri.

“Serbët u kundërvunë duarthatë, jo pse atje nuk kanë armë, por pse nuk deshën t’i përdorin. E ruajtëm paqen dhe nuk i lejuam ta marrin Veriun e Kosovës”, ka thënë ai.

“Unë nuk jam lider karizmatik si Millosheviqi, nuk jam fin, sharmant dhe i mirë si Tadici dhe Koshtunica por në kohën time nuk do të ketë operacione si “Oluja” e “Bljesak”, e as disfata serbe kjo është ajo çfarë i kam premtuar popullit dhe kështu do të jetë“, ka shtuar Vuçiq.