Kërkesa e Vuçiqit për Kosovën që nuk u plotësua nga Putini

Kërkesa e Vuçiqit për Kosovën që nuk u plotësua nga Putini

Një bisedë telefonike mes Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe atij rus, Vladimir Putin është zhvilluar sot për shkak të ngjarjeve në Mitrovicën e veriut, shkruan Insajderi.

Në një njoftim që është dërguar mediave nga Presidenca e Serbisë thuhet se Vuçiq ka kërkuar këshilla nga Putini për t’iu përgjigjur “dhunës” nga Kosova ndaj serbëve.

Në njoftimin nga zyra e Vuçiqit thuhet se ai e informoi Putinin për “sulmin brutal” të Policisë së Kosovës, ndaj zyrtarit të lartë të Serbisë i cili u dëbua nga Kosova.

Më tej në njoftimin për media thuhet se Vuçiq kërkoi këshillën e Putinit “sepse është krejtësisht e qartë se (Kosova) shqiptarët kanë mbështetje të gjerë të shteteve të shumta perëndimore për shpalljen e tyre të njëanshme të pavarësisë” një dekadë më parë.

Ndërkohë që lidhur me këtë kërkesë të Vuçiqit nuk shpjegohet nëse Putin ka dhënë ndonjë këshillë për presidentin serb.

Kujtojmë se Rusia ka dënuar ashpër arrestimin e Gjuriqit nga Policia e Kosovës. Drejtori i ashtuquajtur për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ishte arrestuar të hënën për shkak se ishte futur pa leje në territorin e Kosovës./Insajderi.com