Kjo është përgjigja e Putinit ndaj kërkesës së Vuçiqit për Kosovën

Kjo është përgjigja e Putinit ndaj kërkesës së Vuçiqit për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Rusisë, Vladimir Putin kanë zhvilluar dje një bisedë telefonike lidhur me situatën në Kosovë, pas arrestimit të Marko Gjuriqit të hënën nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e veriut, shkruan Insajderi.

Sipas njoftimit për media që Zyra e Presidentit të Serbisë e ka bërë thuhet se Vuçiq ka kërkuar nga Putini mendimin e tij lidhur me veprimet e Kosovës ndaj zyrtarit të lartë të Qeverisë së Serbisë.

“Presidenti Vuçiq kërkoi mendimin dhe këshillën e presidentit, se si të kundërshtohet dhuna dhe agresioni i Prishtinës, pasi është plotësisht e qartë se shqiptarët kanë mbështetje të gjerë, të shumë vendeve perëndimore për pavarësinë e tyre të shpallur të njëanshme dhe aktet që rezultojnë nga ajo “, thuhet në njoftimin e dhënë për media.

Më tej në këtë njoftim thuhet se Putin i premtojë Vuçiqit se do ta monitoroj me kujdes ngjarjet në Kosovë. Putin citohet të ketë thënë se sjellja e Policisë së Kosovës është e papranueshme

“Sjellja e dhunshme ndaj zyrtarëve të lartë serb është e papranueshme dhe meriton çdo dënim”, citohet të ketë thënë presidenti rus, transmeton Insajderi.

Po ashtu Putin citohet të ketë thënë se Serbia vazhdon të jetë partneri kryesor i Rusisë në Ballkan por edhe në Evropë.

“Presidenti Putin theksoi se Serbia është partneri kryesor i Rusisë në Ballkan, por edhe në Evropë dhe se Federata Ruse do të mbështesë Republikën e Serbisë dhe përpjekjet e saj për të ruajtur pavarësinë dhe integritetin territorial”, citohet të ketë thënë Putin në njoftimin nga zyra e Vuçiqit./Insajderi.com