Qeveria e Serbisë ofendon zv/kryeministrin e Kosovës pas përplasjes me Jevtiqin

Qeveria e Serbisë ofendon zv/kryeministrin e Kosovës pas përplasjes me Jevtiqin

E ashtuquajtura zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, ka lëshuar sot njē deklaratë publike, ku e quan “terrorist” zëvendëskryeministrin e Kosovës, Enver Hoxhajn.

“Enver Hoxhaj si terrorist tipik i viteve të 90-a nuk e ka për qëllim paqen dhe stabilitetin në rajon. Në fakt, ai sinqerisht urren njerëzit që kanë për mision krijimin e paqes dhe stabilitetit”, thuhet ndër të tjera në këtë deklaratë.

Ky reagim erdhi pas shkëmbimit që Zëvendëskryeministri Hoxhaj pati sot në mbledhjen e qeverisë, me zëvendëskryeministrin serb të Kosovës Dalibor Jevtic, të cilit i bëri thirrje të punojë për interesa të komunitetit serb në Kosovë dhe të mos mbetet instrument politik i Bepgradit.

Pas këtij shkëmbimi, Jevtic kishte lëshuar mbledhjen e qeverisë.

Kjo është ndër deklarata të rralla zyrtare të Serbisë që lëshohet me qëllim për ta akuzuar një zyrtar të lartë të Kosovës me një akuzë kësisoj.