Kurti thotë se Thaçi dhe Maxhuni morën vendimin për arrestimin e gylenistëve

Kurti thotë se Thaçi dhe Maxhuni morën vendimin për arrestimin e gylenistëve

Albin Kurti akuzon presidentin, Hashim Thaçi dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, për arrestimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë të enjtën.

Kurti ka deklaruar se presidenti Thaçi dhe Maxhuni janë një duet që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

“Unë besoj që sërish e kemi këtu duetin Thaçin, Maxhuni dhe këtë e kemi vërejtur edhe kur ka qenë Thaçi kryeministër. Paçka se nuk është më kryeministër, unë besoj se Shpend Maxhuni dhe Hashim Thaçi kanë marrë vendime të tilla”, ka thënë Kurti për “Jeta në Kosovë”.

Megjithatë, sipas Kurtit, rol në këto vendime ka pasur edhe drejtori i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës (AKI), Driton Gashi.

“Unë kam dyshimet e mia sepse dueti Thaçi-Maxhuni është duke i bërë këto gjëra, por këtu është edhe drejtori i AKI-së zotëri Gashi”, ka thënë Kurti.

Madje, Kurti ka deklaruar se “dihet publikisht që prindërit e Maxhunit dhe Gashit kanë qenë pjesë e okupatorit të Serbisë.”