Rusia proteston në KB, Bruksel dhe NATO

Përfaqësuesit diplomatik të Federatës Ruse ankohen për"lëshimet" e KFOR-it dhe EULEX-it për shkak të shkeljes së Rezolutës 1244. Serbia shpreson që me këtë përkrahje ta forcojë pozicionin e vet në bisedime.

Rusia proteston në KB, Bruksel dhe NATO

Të gjithë përfaqësuesit rus pranë KB, BE, NATO dhe OSBE kanë marrë instruksione që pranë këtyre institucioneve të shprehin brengosjen e tyre me rastin arrestimit dhe dëbimit të Gjuriqit, i cili ditë më parë kishte hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale, dhe të tregojnë për “lëshimet” e KFOR-it dhe EULEX-it, “detyra” e të cilëve është ta mbrojnë paqen në përputhje të Rezolutës 1244, shkruan gazeta serbe Novosti.

Kjo gazetë vlerëson se me këto veprime Rusia po dërgon mesazh të qartë se për të Serbia është vendi më i rëndësishëm në Ballkan, por edhe në Evropë, dhe se do t’i forcojë pozicionet serbe në bisedime me Kosovën.

Rusia edhe në vitin 2008 ka reaguar ashpër në KB me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke kërkuar nga KS të vazhdohet misioni i UNMIK-ut si më parë dhe të mos lejohet vendosja e Misionit të BE në Kosovë, të cilën kërkesë Këshilli i Sigurimit e refuzoi./Insajderi.com.