Kapet sasi e madhe droge në Miradi e Epërme të Fushë Kosovës

Kapet sasi e madhe droge në Miradi e Epërme të Fushë Kosovës

Policia e Kosovës raporton për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve në fshatin Miradi e Epërme në Fushë Kosovë. Rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:10.

“Pas një pune operative janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj shqiptarë, të cilët nga person nga Shqipëria janë furnizuar me narkotikë”, thuhet në raportin e policisë.

Bëhet e ditur se nga të dyshuarit është konfiskuar substancë e dyshuar e llojit marihuanë, në peshë 8 kg e 525 gr.

Me urdhër të gjyqtarit, është bastisur shtëpia e të dyshuarit  mashkull shqiptar, ku janë gjetur dhe konfiskuar: tri armë zjarri –revole, dyzet fishekë kalibër 7.62mm, një sprej OC, katër paketime të ndryshme substancë të dyshuar narkotike-marihuanë, në peshë 312.5gr, një ambalazh plastike e mbushur me substancë të dyshuar narkotike kokainë, në peshë 98.7gr, një peshore digjitale, 350 qese plastike të zbrazëta, një mulli për bluarjen e narkotike, dy vetura, katër telefona mobilë, 690 € para të gatshme.

“Me vendimin të prokurorit, tre të dyshuarit dërgohen në qendrën e mbajtjes”, njofton policia.

Policia ka zhvilluar edhe një tjetër aksion në shkallë të gjerë për kapjen e narkodilerëve.

Bëhet e ditur se dje në mëngjes në disa qytete: Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia, në lokacione të ndryshme janë konfiskuar; 5 qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë, një qese substance narkotike e dyshuar marihuanë, në peshë 5.6 gramë, një armë zjarri-revole e llojit “Ekol “, kal 9mm, dhe një armë automatike AK-47 me 30 (tridhjetë) fishekë.

“I dyshuari mashkull shqiptar është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në raportin e policisë.