Familjarët këmbëngulin që të arrestuarit janë ende në Aeroport të Prishtinës

Familjarët këmbëngulin që të arrestuarit janë ende në Aeroport të Prishtinës

Gjashtë shtetasit turq të arrestuar gjatë ditës së djeshme po mbahen të ngujuar në Aeroportin e Prishtinës dhe nuk janë deportuar për në Turqi. Kështu të paktën po thonë familjarët e tyre. Njëri nga ta, që nuk ka dashur t’i përmendet emri ka treguar për Express se sot i ka parë në Aeroport tre nga të arrestuarit.

“Turqit e arrestuar nga Policia nuk janë deportuar nga Kosova. Ata janë duke qëndruar të ngujuar në Aeroportin e Prishtinës dhe në Ambasadën e Turqisë. Unë gjatë ditës së sotme tre nga ta i kam parë në një zyre në Aeroport. Sot atyre u kanë shkuar ekipe mjekësore për t’i kontrolluar”, ka treguar për Express njëri nga familjarët e të arrestuarve.

Ai ka treguar tutje se edhe Ambasada e Amerikës u ka thënë se turqit nuk janë larguar nga Kosova.

Ky familjar thotë se Ambasada e Turqisë dhe Aeroporti i Prishtinës nuk po u jep asnjë informatë.

“ Neve edhe Ambasada e Amerikës na ka thënë se ata nuk janë larguar nga Kosova. Por, Ambasada e Turqisë dhe Aeroporti nuk po na jep asnjë informatë. Ata po na quajnë terroriste dhe po na injorojnë”.

Të arrestuarit janë identifikuar si Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina.

Lëvizja Gyleniste operon me shkolla në 160 vende nga Afganistani e deri në SHBA.

Javët e fundit Kosova ka qenë në presion nga Turqia për të ndërmarrë një aksion kundër këtyre shkollave të themeluara nga Lëvizja Gyleniste.

Turqia akuzon Gylenin, krerikun mysliman që jeton në SHBA për orkestrim të grushtshtetit të 15 korrikut të vitit 2016 dhe e ka deklaruar lëvizjen e tij si terroriste./Insajderi.com