Haradinaj e fali ministrin që lejoi aterimin e aeroplanit të Intelegjencës turke në Aeroportin e Prishtinës

Haradinaj e fali ministrin që lejoi aterimin e aeroplanit të Intelegjencës turke në Aeroportin e Prishtinës

Kryeministri Ramush Haradinaj, sot ka marrë vendim për shkarkimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së, Driton Gashi.

Arsye për vendimin e tij është aksioni i ndërmarrur nga dy institucionet që drejtoheshin nga këta të dy, për arresimin e gjashtë shtetasve turq në Kosovë.

Haradinaj është ankuar që nuk është informuar nga askush për këtë aksion, dhe e ka kuptuar tek pasi ka përfunduar i gjithë aksioni, raporton Insajderi.

Por, tashmë është vërtetuar që përveç Sefajt dhe Gashit, në këtë aksion ka qenë i përfshirë edhe ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga Pal Lekaj, i cili vjen nga partia e Haradinajt.

Involvimi i ministrisë që drejtohet nga Lekaj ka qenë lëshimi i lejës për fluturimin e aeroplanit që besohet se dërgoi në Turqi gjashtë gylenistët.

Lekaj ka pranuar se është lëshuar një leje e tillë, duke e arsyetuar se MI lejon të gjitha fluturimet që përmbushin kërkesat, dhe se afati për aplikim duhet të jetë 3 ditë.

Lekaj, gjithashtu ka thënë se asnjë njeri i Aleancës nuk ka qenë i përfshirë.

“Duke qenë të indinjuar me çka ka ndodhur dje, “deportimi i shtetasve turq nga Kosova”. Për opinionin e gjerë publik me duhet të sqarohem përsa i përket anës ligjore të dhënies së lejes për fluturime charter (apo ad hoc) për të gjitha rastet por edhe për rastin në fjalë. Bazuar në nenin 5 të rregullores mbi kërkesat për linja të përkohëshme të Aeroplaneve, Ministria e Infrastrukturës lejon të gjitha fluturimet të cilat i përmbushin kërkesat sipas rregullores 2015/2 për aprovimin e fluturimeve charter dhe jo – HPEA. Afati për aplikim duhet të jetë 3 ditë punë dhe ka të bëjë vetëm për kohë të mjaftueshme me qëllim të verifikimit të dokumentacionit dhe jo afat pas të cilit duhet të lëshohet leja. Prandaj i bëjë thirrje të gjithëve që të ruajnë veten nga çfarëdo “ekspertizë” edhe të leximit të rregullave të Aviacionit Civil të Kosovës edhe asaj ndërkombëtare, nuk kemi pse tentojmë të hedhim fajin të dikush që përsa i përket Aviacionit Civil, e bënë vetëm rregullimin ekonomik, të drejtat e trafikut ajror, ndërsa sipas ligjeve në fuqi me atë që quhet “Siguria” dhe “Sigurimi” i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, merren organet e sigurisë”, ka shkruar Lekaj.

Kjo i bie që ankesa e Haradinaj se Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës (AKI), nuk ishte kordinuar lidhur me aksionin për arrestimin e shtetasve turq, atëherë as Pal Lekaj, së bashku me ministrinë që ai e drejton e kanë bërë një gjë të tillë.

Kërkesën për shkarkimin edhe të Lekajt drejtuar Haradinajt, e ka kërkuar edhe këshilltari i ministrit të shkarkuar Flamur Sefaj. Kastriot Muqolli përveë kërkesës për shkarkimin e Lekajt, i është drejtuar Haradinaj me fjalët:”s’je kërkah”.

“Kryeministër as Pali nuk t’paska njoftu a? A po ja kërkon dorëheqjen edhe kti?

“Më vije shumë keq” por s’je kërkah!” ka shkruar Muqolli./Insajderi.com