Kurti: Për të shpëtuar duetin Hashim Thaçi & Shpend Maxhuni u shkarkua ministri

Kurti: Për të shpëtuar duetin Hashim Thaçi & Shpend Maxhuni u shkarkua ministri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke folur për depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova, ka thënë se dy kërkesat e kryeministrit për shkarkim të Shefit të AKI-së dhe Mnistrit të Brendshëm nuk mjaftojnë.

Sipas Kurtit për të shpëtuar denoncimin e duetit Hashim Thaçi & Shpend Maxhuni, kryeministri Haradinaj ekspozoi një ministër që do t’i harrohet emri para se t’ia mësojmë mirë.

Në këtë mënyrë sipas Kurtit presidenti i shtetit dhe drejtori i tij i policisë, do të ngelen në prapavijë.

“Këto dy shkarkime që bëri kryeministri nuk mjaftojnë. Madje ato janë zëvendësim i dyfishtë. Zëvendësim për dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj – ai shkarkon dy të tjerë që të mos dorëhiqet vetë. Dhe, zëvendësim për denoncimin e duetit Hashim Thaçi & Shpend Maxhuni – ai ekspozon një ministër që do t’i harrohet emri para se t’ia mësojmë mirë që të ngelin në prapavijë presidenti i shtetit me drejtorin e tij të policisë”, shkruan Kurti në Facebook.

Kujtojmë se Haradinaj kishte kërkuar raport të detajuar lidhur me tërë aksionin nga të gjitha institucionet e përfshira, por dje ai kërkoi të largohen nga detyra vetëm Shefi i AKI-së Driton Gashi dhe Ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefaj por jo edhe drejtori i Policisë, Shpend MAxhuni.

Kurti më tej ka deklaruar se e tërë ngjarja nuk është vetëm arrestimi dhe depërtimi i gjashtë shtetasve turq por se kush ka dhënë urdhër ose plotfuqishmëri që të bëhen dosje nga AKI për këta persona.

“Aty nis rasti. Sepse porsa të fillojë krijimi i dosjes i klasifikuar te rrezikshmëria, terrorizmi e të tjera si këto, është çështje kohe kur kapen e deportohen njerëzit. Pse janë skeduar këta njerëz dhe me urdhër të kujt? Këtu fillon arbitrariteti dhe cenimi kushtetues (përfshirë konventën evropiane për të drejtat e njeriut) dhe mandej me radhë ligjet. Dhe, sërish, kush e beson se këto dosje u bënë pa dijeni të Presidentit ose pa qenë i informuar ai?”, tha ai.

Kurti ka kritikuar edhe kuvendin e Kosovës, duke thënë se dje me një qasje po aq absurde refuzoi të debatojë për këtë çështje.

“Kishte shumë lot krokodili të deputetëve për rrëmbimin me të cilin nuk donin të merreshin. Nuk është çështja të mbajmë qëndrim mbi konfliktin e brendshëm në Turqi, as mbi fajësinë ose jo të gjashtë të dëbuarve. Por duhet dënuar kidnapimi i tyre, dhe dëbimi e dorëzimi në një shtet tjetër, pa gjyq, pa transparencë, pa njoftuar institucionet, dhe në analizë të fundit, pa dashur të marrë përgjegjësi askush”, shkruan Kurti.

Krejt në fund thotë se Kosova  si Republikë Parlamentare, “që ka president despotik e abuziv, dinak e persekutues, i cili ka marrë me qera një kryeministër i cili krejt çfarë ka dashur tashmë e ka. Demokraci e drejtësi do të thotë që këta gjashtë persona t’ia kthejnë ndjekjen autorit”.