Ministri Flamur Sefaj e kishte ditur një javë më herët se do të arrestoheshin turqit

Ministri Flamur Sefaj e kishte ditur një javë më herët se do të arrestoheshin turqit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nuk ndjehet mirë që i ka ndodhur që të mos jetë i informuar dhe ka thënë se kjo nuk është aspak në rregull, kur ka folur për rastin e arrestimit dhe deportimit të shpejtë të gjashtë shtetasve turq.

Ka thënë se në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurisë, ua ka tërhequr vërejtjen se që kjo të mos ndodhë më kurrë.

“Dhe kjo nuk është vetëm llaf goje”.

Haradinaj thotë se hetimin e parë që e ka bërë, menjëherë pas kësaj ndodhie, ka kërkuar nga drejtori i AKI-së Driton Gashi, Abelard Tahiri, Flamur Sefaj dhe Shpend Maxhuni, një raportim, dhe ka ardh në përfundim se dy vartësit e tij të parë, Driton Gashi dhe Flamur Sefaj, e kanë humbur besimin e tij.

“Kam kërkuar hetim dhe një raportim me shkrim ndalimit, të revokimit të lejeve dhe deportimit të shpejtë dhe të fshehtë të gjashtë shtetasve turq”.

“Drejtori i AKI-së dhe ministri i Punëve të Brendshme e kanë humbur besimin tim, sepse për një arsye nuk e kanë parë të arsyeshme që të më informoj mua. Për këtë arsye ata të dy janë të shkarkuar. Por Flamur Sefaj e ka pas shkresën që nga dita e premte e javës së kaluar që shtetasit turq do të arrestoheshin”, tha Haradinaj, duke iu referuar që e ka pasur nga AKI-ja.

Haradinaj thotë se s’është mirë që ka ndodhur kështu.

Haradinaj thotë se ka pasur takime të menjëhershme me presidentin Thaçi, pas arrestimit të gjashtë turqve dhe pas shkarkimit të drejtorit të AKI-së. Por ai la të kuptohet se nuk ka folur me presidentin Thaçi për shkarkimin e drejtorit të AKI-së, të cilin e emërojnë bashkë.

“Procedura e shkarkimit duhet parë cila është, por ai nuk më ka besu mua, nuk më ka informuar. Që nga inicimi i shkresës time ai nuk është fuqiplotë. Ata dy që e është dashtë me emëru, njëri e ka humb besimin. Presidenti do ta japë mendimin e vet, por ai është gjysmë”, ka thënë Haradinaj.

“Nuk guxon më dikush me marrë vendime individuale për tema që kanë implikim për krejt vendin, dhe gjeostrategjik. Duhet të jetë vendimmarrje e përbashkët, kushtetuese”, ka thënë ai

Pas mbledhjes, në konference për media ai ka thënë se Kosova është në gjendje stabile, por se me veprimin e fundit ndaj gjashtë shtetasve turq dhe deportimit të tyre në Turqi, ka pasur pasoja të rënda në aspektin e të drejtave të njeriut, për çka thotë se nuk ndihet krenar që ka ndodhur.

“Megjithatë konstatojmë se gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile. Qytetarët duhet të jenë të qetë. Kam kërkuar që Kosova mos të befasohet, kjo s’do të përsëritet më kurrë”, tha tutje Haradinaj, transmeton Koha.net.