Tri mënyrat për shkarkimin e presidentit Thaçi

Tri mënyrat për shkarkimin e presidentit Thaçi

Roli i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, që kishte qenë lidhur me deportimin e gjashtë qytetarëve turq që jetonin në Kosovë për në Turqi, ka qenë vetëm njëra ndër arsyet përse deputetët e opozitës po kërkojnë shkarkimin e presidentit të vendit, shkruan Insajderi.

Deputetët e opozitës kanë akuzuar javëve të fundit Hashim Thaçin se kishte qenë në rolin kryesor për deportimin e gjashtë gylenistëve. Madje Thaçit  kishte marrë një falënderim të veçantë nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan për deportimin e gjashtë gylenistëve.

Por ky ‘veprim’ i Thaçit mund t’i kushtojë atij me shkarkim nga posti i presidentit. Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka paralajmëruar sot në Kuvendin e Kosovës se do ta iniciojë shkarkimin e Thaçit.

“Dikush u bë shkaktar që shteti ynë të shkelë konventat për të drejtat e njeriut, derisa një shtet i tillë nuk mund të thotë që është në Evropë. Konsekuencat në aspektin ndërkombëtar do t’i kushtojnë shumë Kosovës, derisa në aspektin e brendshëm është shkelur Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë Konjufca gjatë seancës së sotme të Kuvendit ku po diskutohet për deportimin e gylenistëve në Turqi.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, janë tri arsyeje të cilat mund ta shkarkojnë presidentin e vendit. Arsyeja e parë është nëse presidenti është i dënuar për kryerje të krimeve të rëndë, arsyeja tjetër është nëse ai nuk është i aftë për t’i ushtruar përgjegjësitë e tij në këtë post, për shkak të ndonjë sëmundje të rënd si dhe nëse ai ka bërë shkelje të rënd të Kushtetutës.

“Presidenti i Republikës së Kosovës mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse ai/ajo është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse ajo/ai nuk është i/e aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës në nenin për shkarkimin e presidentit.

Më tej sqarohet se shkarkimi i presidentit të vendit duhet të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit. Ata duhet të nënshkruajnë një peticion ku edhe shpjegohen arsyet për shkarkim.

Në rast se pretendohet se presidenti ka bërë shkelje të Kushtetutës, peticioni i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese e cila vendosë dhe më pas Kuvendi mund ta shkarkojë me dy të tretat e votave të deputetëve.

“Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta (1/3) e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e konsiliumit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosë për këtë çështje brenda shtatë (7) ditësh nga marrja e peticionit”.

“Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë – 35 – përgjegjësitë e tij/saj për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ajo/ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të tij”, thuhet në nenin dy dhe tre të nenit të Kushtetutës së vendit për shkarkimin e presidentit./Insajderi.com