Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër Avni Llumicës së “Syrit të Popullit”, thotë avokati i tij

Prokuroria nuk ka asnjë provë kundër Avni Llumicës së “Syrit të Popullit”, thotë avokati i tij

Naim Rudari, avokati i Avni LLumnicës, tashmë i akuzuar në rastin “Syri i Popullit”, ka reaguar pas publikimit të dokumentarit të InDoks, “Patriotë të çmendur”.

Ai në një reagim të gjatë thotë se për veprat që e ngarkon Prokuroria Speciale të akuzuarin Llumnica, ky institucion nuk ka prova.

Këtu gjeni të plotë pjesën e parë të  InDoks.

  • Emisionin Patriotët e Çmendur të InDoks, shikojeni në këtë LINK 

Më poshtë lexojeni të plotë reagimin e Avokatit të Avni Llumnicës:

“Avni Llumnica është arrestuar me datën 13/03/2017, në ditën kur është plagosur Azem Vllasi në banesën e tij Prishtinë. Atë ditë, pasi që kishte ndodhur rasti, Murat Jashari e kishte thirrur me telefon Avniun dhe është takuar me të, e më pas janë shëtitur në qytet së bashku e Avniu duke mos ditur asgjë se çfarë ka ndodhur, më pas ata janë arrestuar nga ana e policisë kur Avniu e ka dërguar Muratin tek një motel nga ku kishte daluar Murati, e në të cilin kishte qenë duke banuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka filluar hetimin ndaj tyre duke i ngarkuar me veprën penale “Hakmarrje”  nga neni 396 i KPRK-së, për Avniun ishte vepra penale “Hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 lidhur me nenin 33 të KPRK-së ( Kodi penal i Republikës së Kosovës).

Prokuroria nuk kishte asnjë provë të vetme që lidhej me Avniun dhe veprimet e tij në këtë rast të ndodhur ndaj Azem Vllasit, por sido që të jetë për tu ngarkuar kushdo me këtë vepër penale paraprakisht viktima do të duhej t’i bënte një të keqe sulmuesit, e me qëllim që të cilësohej si “hakmarrje”, ndërsa Avni Llumnica kurr nuk ka pasur asgjë të keqe me Azem Vllasin, po ashtu deklaron edhe Azem Vllasi, dhe se Prokurori nuk kishte asnjë arsye për të menduar se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast, po ashtu nuk mundi të na ofrojë asnjë provë të vetme.

Nga data 23/03/2017 Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka zgjeruar hetimet e filluara në këtë rast, ku Avni Llumnica dhe Murat Jashari e disa të tjerë janë ngarkuar me veprën penale “Vrasja e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës” nga neni 126 i KPRK-së.

Në këtë dispozitë ligjore specifikohet se kush janë përfaqësuesit e lartë të shtetit në mënyrë eksplicite, e ata janë; Kryetari i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Kryetari i  Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria për një vit rresht Avniut por edhe Murat Jasharit u ka vazhduar masën e paraburgimit nën dyshimin e kësaj vepre penale duke i bërë kërkesat për vazhdimin e paraburgimit që ta kenë një peshë sa më serioze e që përfundimisht iu dashtë një vit kohë për ta larguar këtë vepër penale dhe për ta kuptuar se në Kosovë nuk është vrarë asnjëri nga këta përfaqësues të lartë të Republikës së Kosovës e madje as që është tentuar të vriten.

Prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzën tani për Avni Llumnica dhe nëntë persona tjerë ku Avni Llumnica ngarkohet me katër vepra penale ; “Hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 lidhur me nenin 33 të KPRK-së, “Dhunimi” nga neni 230 i KPRK-së, Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprave penale terroriste” nga neni 136 i KPRK-së.

Lidhur me këto vepra penale Prokurori i shtetit na ka sjellë mbi 3300 fleta që bëjnë pjesë në shkresa të lëndës e në të cilat nuk gjendet asnjë provë e drejtpërdrejtë për Avni Llumnicën e lidhur me veprat penale që e ka akuzuar Prokuroria.

Vepra penale “Hakmarrje” flitet për rastin ndaj Azem Vllasit, ku Avniu nuk ka asnjë lidhje me atë rast, madje atë e ka thënë edhe vet Murat Jashari në seancën dëgjimore me rastin e caktimit të paraburgimit si dhe me disa letra nga qendra e paraburgimit duke ia drejtuar gjykatës, e të cilën gjë ai vetë për vete nuk e mohoi asnjëherë.

Vepra penale “Dhunimi” është një vepër kinse një person është ankuar në Avniun përderisa kanë qenë në qendrën e paraburgimit në Lipjan. Këtu kemi të bëjmë me një trillim të tërësishëm duke tentuar që persona të ndryshëm në qendrën e paraburgimit të kërkonin para nga Avniu, duke trilluar gjëra të tilla. Lidhur me këtë rast ekspertiza mjeko-ligjore nuk ka mundur të konstatoj se ka ekzistuar dhunimi e cila ekspertizë tani është në shkresa të lëndës, po ashtu një dëshmitar që është marrë në pyetje e ka thënë të kundërtën e asaj që ka thënë kinse viktima e këtij rasti, si dhe një dëshmitar tjetër që ka qenë së bashku me ta në dhomë e ka mohuar me deklaratën e tij të dhënë në qendrën e paraburgimit e të cilin dëshmitar Prokurori i shtetit nuk e kishte marrë në pyetje asnjëherë edhe pse ne e kishim propozuar. Me këtë rast është degraduar jashtëzakonisht shumë karakteri dhe integriteti njerëzor i Avniut dhe familjes së tij në shoqëri.

Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 144, lidhur me veprën penale “Kryerja e veprave penale terroriste” nga neni 136 i KPRK-së, nuk ka të bëjë asgjë me Avni Llumnicën dhe se Prokurori i shtetit në shkresat e lëndës pretendon se këta persona të akuzuar janë pjesë e organizatës “Syri i Popullit” e në anën tjetër nuk ka ofruar dhe nuk ka siguruar asnjë dokument të vetëm që dëshmon se Avni Llumnica ka qenë ndonjëherë pjesë e organizatës “Syri i Popullit”.

Në shkresat e lëndës kemi material që flasin për atë organizatë e të cilat lidhen thuajse vetëm për emrin e një personi e për të cilin ekspertiza tjetër ka konstatuar se ai person në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i paaftë mendërisht për të kuptuar veprimet e veta, ndërsa nuk kemi ndonjë provë që argumenton se Avniu ka qenë pjesë e asaj organizate, që ka kryer ndonjë veprim në drejtim të përgaditjes së veprave terroriste apo të kryerjes së ndonjë vepre terroriste siç akuzohet.

Avni Llumnica kur është arrestuar ai ka qenë duke shkuar në Zvicër ku ka qenë duke punuar dhe jetuar, dhe që nga atëherë ai është në masën e paraburgimit në Kosovë.Ne i kemi propozuar Prokuorisë dhe Gjykatës që Avniu të mbrohet në liri me masën e Dorëzanisë ku i kemi ofruar si masë dorëzanie dy pjesë tokë më nga 25 ari e të cilat kanë një vlerë jashtëzakonsiht të lartë, duke qenë të gatshëm që nëse Prokuroria dhe Gjykata vlerësojnë se nevojitet një pasuri edhe më e lartë për ta deponuar në formë dorëzanie, ne do ta bënim edhe atë, vetëm që Avniu të lirohet që të shkojë në Zvicër dhe të qarkulloj lirshëm, por kjo masë është refuzuar deri më tani.

Avni Llumnica në shtetin e Zvicrës ka humbur punën e tij të rregullt që kishte në postën e Bernit, dhe tani shteti Zvicëran i ka kushtëzuar edhe lejeqëndrimin me paraqitjen e tij në Zvicër, ku ai nuk po mund të paraqitet dhe ne me kërkesa të vazhdueshme për të lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të lejeqëndrimit të tij iu kemi drejtuar konzulatës në Bern e që deri më tani ata e kanë lënë pezull lejeqëndrimine Avniut.

Prokurori i shtetit por edhe Gjykata duhet që t’i qasen sa më drejtë këtij rasti të hetohet drejtë dhe të ndriçohet në tërësi, si dhe mos të krijohet bindje e pasigurisë së përgjithshme në vend pasi që ajo nuk ekziston”./Insajderi.com