Policia arreston nënën e 4-vjeçarës së mbytur në Prishtinë

Policia arreston nënën e 4-vjeçarës së mbytur në Prishtinë

Është arrestuar E.A. nëna e vajzës 4-vjeçare e cila vdiq sot si pasojë e zjarrit në lagjen Ulpianë rruga “Hakif Zejnullahu” në Prishtinë.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ka thënë se nëna 29-vjeçare është dërguar në mbajtje.

“Policia e Kosovës me autoritete kompetente po heton rrethanat dhe shkaqet se si ka ndodhur ky incident tragjik dhe sipas vendimit të prokurorit kujdestar i cili poashtu ka dal ne vendngjarje ndaj të dyshuarës femër shtetase e Shqipërisë është lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar dhe e njëjta është dërguar në mbajtje për 48 orë”, tha për rtv21.tv Hoxha.

Sipas policisë e arrestuara E.A nuk ka qenë aty kur banesa është djegur dhe viktima (fëmija) ka qenë i vetëm gjatë incidentit.

Hoxha tha se trupi i pajetë i fëmijës është dërguar për obduksion, përderisa hetimet nga njësitet kompetente janë në proces nën dyshimin se është kryer vepër penale “shkelje të detyrimeve familjare”.