Veteranët e pakënaqur – kërkesat e tyre për kryeministrin që presin të realizohen

Veteranët e pakënaqur – kërkesat e tyre për kryeministrin që presin të realizohen

Një grup i ish-ushtarëve të pakënaqur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), sot kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës, duke shpalosur tri kërkesat e tyre.

Njohja e statusit të invalidit të çdo ushtari të vërtetë që e meriton me qenë invalid i luftës, t’i bëhet apel publik prokurorit të shtetit për pastrimin e listave të veteranëve dhe Kryeministri të merret me njerëz të shoqatave të dala nga lufta të cilët nuk po na përfaqësojnë denjësisht, ishin tri kërkesat e protestuesve, shkruan Insajderi.

Organizatori i kësaj proteste Jeton Selmani nga Zona Operative e Llapit tha para protestuesve se shoqatat e veteranëve janë duke përfaqësuar 45 mijë veteranë të rrejshëm.

“Lusim përfaqësuesit qeveritarë që të ngritin zërin kundër degradimit të vlerave të luftës dhe i bëjmë thirrje prokurorisë që të na thirrin dhe të dëshmojmë. Kemi shoqata, po nuk kemi shoqata, sepse ata përfaqësojnë 45 mijë veteranë të rrejshëm dhe ata janë manipulues të rrejshëm. Për këtë proces të gjithë jemi fajtorë dhe sot kemi thirrur këtë protestë simbolike dhe nuk do t’i ndalim protestat”, tha Selmani.

Pas prezantimit të këtyre kërkesave protestuesit kishin edhe një kërkesë, takim me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ku ky i fundit doli për pak qaste ku ju tha se me ta do të mund të takohet vetëm pas  40 minuta, sa të përfundoj takimin e radhës dhe do t’i pres brenda në zyre.

Nuk shkuan as 40 minuta kryeministri Haradinaj futi brenda bashkëluftëtarët e tij që t’i dëgjoj hallet e tyre. Në këtë takim protestuesit kishin biseduar me kryeministrin për tri kërkesat e tyre të cilat Haradinaj ju kishte premtuar se shumë shpejt do të realizohen.

Njëri nga protestuesit, Bajram Jaha pas takimit me kryeministrin tha se me të kanë biseduar që kërkesat e tyre të merren parasysh.

Ndër tjera, ai tha se Haradianj nuk ju ka dhënë një afat kohor se deri kur do të realizohen këto kërkesa, mirëpo që brenda 30 ditëve ata shpresojnë se do të realizohen.

Po ashtu Protestuesit thanë se Zyra për Veteranë, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, nuk është përfaqësuese e të drejtave të tyre.

Nuk është hera e parë ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), protestojnë para qeverisë. Ata janë të pakënaqur me numrin e veteranëve të cilët theksojnë se numri i tyre është fryrë. /Insajderi.com