Arsyeja pse u mbyll për media seanca ndaj “Syrit të Popullit”

Arsyeja pse u mbyll për media seanca ndaj “Syrit të Popullit”

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, ka vendosur që ta mbyllë për mediat dhe publikun, gjykimin e rastit të njohur si “Syri i Popullit”.

Në seancën e së mërkurës, ishte paraparë të mbahej shqyrtimi fillestar ku të akuzuarit do të deklaroheshin rreth fajësisë lidhur me akuzat me të cilat ngarkohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Propozimin për mbylljen e këtij gjykimi, e ka bërë prokurori special Sylë Hoxha, me arsyetimin se i akuzuari Avni Llumnica ngarkohet me veprën penale të dhunimit, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Llumnica, avokati Naim Rudari e ka kundërshtuar propozimin për përjashtimin e publikut nga salla.

Gjithashtu, edhe mbrojtësit e të akuzuarve të tjerë janë deklaruar kundër mbylljes së këtij gjykimi për publikun.

Megjithatë, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica, ka marr vendim që të përjashtohet publiku nga salla, duke thënë se ky vendim do të publikohet edhe në formë të shkruar.

Në këtë rast, për përgatitjen e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës si dhe për vrasje të rëndë në tentativë, akuzohen Sadri Ramabaja, Murat Jashari, Ragip Sallova, Avni Llumnica, Sabit Berisha, Bexhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana.