Zbulohet emri i kompanisë së denoncuar për mashtrim nga kryetari Haskuka

Zbulohet emri i kompanisë së denoncuar për mashtrim nga kryetari Haskuka

Drejtoria e Inspektorateve në Prizren, gjegjësisht Inspektorati i Tregut ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore për procedurë kundërvajtëse ndaj një kompanie private. Kjo ka ardhur as ankesës së një konsumatori për vjedhje në çmim. Gazeta Insajderi ka mësuar se bëhet fjalë për rrjetin e marketeve “Super Viva”.

Për rastin ka shkruar edhe kryetari Mytaher Haskuka në profilin e tij në Facebook.

“Pas denoncimit të mashtrimit të konsumatorit nëpërmes “Qendrës së Thirrjeve”, Inspektorati i Tregut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka vërtetuar këtë veprim mashtrues nga një qendër e madhe tregtare në qytet. Ndaj palës menjëherë është bërë kërkesë për fillimin e procedurës së kundërvajtjes në Gjykatën Themelore”, ka shkruar Haskuka në llogarinë e tij.

Sipas kryetarit Haskuka, çmimet në rafte nuk guxojnë të ndryshojnë prej atyre në arkë.

“Falënderojmë qytetaren për lajmërimin e rastit, ndërsa ju ftoj që për çdo parregullsi të lajmëroni në Qendrën e Thirrjeve në numrin 0800 19 200”, ka shkruar Haskuka.

Gazeta Insajderi ka siguruar edhe kopjen e kërkesës së Inspektoratit drejtuar Gjykatës Themelore.

Në kërkesën e Inspektoratit thuhet se kompania ka bërë shkeljen e nenit 9.3, ndërsa ndëshkohet me nenin 76.1 pika 11 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit (K.Kosovës nr.04/L-121), çmimi i ekspozuar nuk është i njëjtë me çmimin e shitjes.

“Inspektorati i Tregut me datë 5 prill 2018 rreth orës 14.10 pas reklamacionit të konsumatorit përmes qendrës së thirrjes doli në vendngjarje dhe gjatë kontrollit të biznesit afarist të lartshënuar me procesverbal kemi konstatuar këtë gjendje: Se pala në fjalë ka ekspozuar pijen Poëerde me çmim aktual pre 0.49 euro, ndërsa konsumatori në arkë ka paguar 0.99 euro, vërtetuar me kuponin fiskal 05.04.2018 ora 11.29 me nr.0166, prezent ishte menaxherja e biznesit ku edhe nënshkroi procesverbalin”, thuhet në arsyetimin e kërkesës.

“Inspektorati i konstatoi këto parregullsi dhe palën e urdhëroi  me procesverbalin nr. 0002050 të datës 05.04.2018 që të bëjë harmonizimin e çmimeve arkë-rafte konform ligjeve në fuqi”, thuhet më tej në arsyetim, të cilit i është bashkangjitur edhe kopja e kuponit fiskal.