Gjukanoviq në pushtet edhe pesë vjet

Lideri i PDS u zgjodh për president të Malit të zi me rreth 180 mijë vota, ndërsa të gjithë kandidatët tjerë kanë marrë 157 mijë vota, derisa në votime nuk kanë dalë 195 mijë votues malazias.

Gjukanoviq në pushtet edhe pesë vjet

Lideri i Partisë demokratike të socialistëve (PDS) Milo Gjukanoviq do të kthehet në funksion publik pas një vit e gjysmë pauze, pasi u zgjodh president i Malit të Zi duke fituar 53.8 për qind të votave, shkruan e përditshmja malaziase Vijesti.

Gjukanoviq ka porositur se rezultatet e zgjedhjeve janë konfirmim i vendosmërisë së Malit të Zi të vazhdojë rrugën e jetës kualitative evropiane dhe anëtarësimit në BE.

Ai ka falënderuar partnerët e koalicionit të cilët kanë treguar besim në PDS dhe kanë dërguar mesazh të qartë se janë “koalicion i pamposhtur”. Përveç bashkëshortes Lidija dhe djalit Blazho, në skenë me Gjukanoviqin ishin edhe ish presidenti Filip Vujanoviq, kryetari i parlamentit Ivan Brajoviq, ish shefi i diplomacisë Milan Roqen, lideri i Partisë Liberale Andrija Popoviq dhe zyrtarë tjerë.

“Ky rezultat është aq i bindshëm dhe mbizotërues saqë ky është rasti që edhe një herë t’i rishqyrtoni qëndrimet e juaja politike, dhe se nuk sjellë asgjë të mirë mohimi i arritjeve të cilat deri tani i ka realizuar Mali i Zi”, i ka porositur Gjukanoviq kandidatët opozitarë, transmeton Insajderi.com.

Kandidatët opozitarë nuk deshën t’ia urojnë Gjukanoviqit fitoren duke pretenduar se zgjedhjet nuk ishin të rregullta dhe se janë shënuar shumë presione ndaj qytetarëve, duke pretenduar se Gjukanoviqit “duhet t’i vije turp në vend se të festojë”. Kandidati i një pjese të opozitës, Mladen Bojaniq, i cili kishte fituar më së shumti vota prej liderëve opozitarë (33,5 për qind), i ka bërë thirrje votuesve të opozitës se rezultatin e tij në zgjedhje ta kuptojnë si dështim. Ndërsa kandidati proserb Marko Milaçiq, kryetar i Partisë së Drejtësisë, i cili përndryshe i ka fituar vetëm 2,7 për qind të votave ka deklaruar se Gjukanoviq ka qenë kandidati i NATO-s dhe se tani është konfirmuar se hyrja në NATO do ta zgjasë agoninë e Malit të Zi.

Gazeta pretendon se Thaçi dhe Haradinaj ishin të parët të cilët ia uruan Gjukanoviqit fitoren.

“Ia urojë mikut tim të vjetër Milo Gjukanoviq fitoren në Mal të Zi. Kjo është fitore për Malin e Zi, por edhe për gjithë rajonin i cili synon kah integrimet në NATO dhe BE. Gëzohem për bashkëpunim në vitet e ardhshme i cili do të sigurojë ardhmëri për të dy popuj”, e citon Hashim Thaçin gazeta, derisa në emër të Qeverisë së Kosovës, Haradinaj ka shprehur gatishmëri për avancim të marrëdhënieve të Kosovës dhe Malit të Zi./Insajderi.com.