Ministria e cila u detyrua ta ndërrojë serverin pas viruseve nga pornografia

Ministria e cila u detyrua ta ndërrojë serverin pas viruseve nga pornografia

Dëshmitari Armend Salihi, ka deklaruar se lidhur me projektin “Navigatori i Qytetit”, kompania “Ataq Consulting”, kishte kryer edhe shërbime tjera jashtë kontratës, që në vitin 2008, kishte lidhur me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Sipas tij, ndër shërbimet që kjo kompani kishte kryer jashtë këtij projekti, ka qenë edhe riinstalimi i serverit të kësaj ministrie, i cili siç ka thënë ai, ka qenë i infektuar me viruse nga shikimi i ueb faqeve me përmbajtje pornografike.

Lidhur me realizimin e projektit “Navigatori i Qytetit”, tash akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dy ish-zyrtarë të MTI-së, Halili Bajrami, si ish-udhëheqës i politikave dhe promocionit turistik si dhe Burim Zekaj, si menaxher i Zyrës së Prokurimit në këtë ministri.

Ata akuzohen se i kanë mundësuar kompanisë “Ataq Consulting”, pagesën e tërësishme të projektit, pa u përmbushur obligimet e kontratës.

Dëshmitari Salihi, në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin e këtij rasti, ka deklaruar se punët shtesë, i kanë kushtuar shumë kësaj kompanie, sidomos riinstalimi i serverit të MTI-së.

“Ne i kemi dorëzu shumë materiale për projektin që nuk kanë qenë pjesë e kontratës. Punëtori i jonë ka punuar në  zyrat e MTI-së, për afërsisht një muaj për t’i plotësuar kërkesat shtesë të MTI-së, që kanë qenë jashtë kontratës. Kabinat ku janë vendosur kiosqet i kemi vendosur nga dy herë se nuk ka pasur koordinim brenda MTI-së. Nuk jemi paguar kurrë për këto shërbime. Serveri i cili ka qenë i vendosur te MTI-ja, te zyra e rojtarit, ka qenë i infektuar me viruse nga pornografia, tu këqyr pornografi, na ka kushtuar shumë për riinstalimin e serverit”, deklaroi dëshmitari.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Burim Zekaj, dëshmitari ka deklaruar se nuk i kujtohet se atë e takuar ndonjëherë, apo se ka pranuar ndonjë e-mail nga ai, në cilësinë e udhëheqësit të Zyrës së Prokurimit, në kohën kur ka qenë duke u realizuar projekti.

Sa i përket kontratës për projektin “Navigatori i Qytetit”, dëshmitari ka deklaruar se në bazë të saj, pjesa e instalimit i ka takuar kompanisë për të vënë në funksionim një mjet, kurse, infrastruktura, interneti dhe rryma në bazë të kontratës, sipas tij, kanë qenë përgjegjësi e MTI-së.

Lidhur me numrin e navigatorëve që janë vendosur, dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet, mirëpo, sipas tij, të njëjtat janë vendosur në të gjitha pikat për të cilat MTI-ja e ka siguruar vendosjen e tyre. Ndërsa, vendosja e tyre, sipas tij, nuk përmendët në kontratë dhe as nuk ka qenë përgjegjësi e kompanisë.

Salihu deklaroi se vendosjen e pajisjeve e ka bërë më shumë se një herë, në bazë vullnetare, me qëllim të mirë që projekti të funksionojë.

Dëshmitari ka thënë tutje, se nga MTI ka pasur premtime se këto shpenzime do të mbulohen më vonë, mirëpo ka shtuar se nuk i kujtohet se kush është personi që i ka premtuar një gjë të tillë.

Sipas kontratës, pagesat ishin paraparë të kryhen me dy këste të vlerës së përgjithshme të kontratës, 20% që është paguar në formë të avansit dhe 80% pas realizimit të kontratës, ku sipas dëshmitarit për këto pagesa janë lëshuar faturat duke respektuar kushtet e kontratës.

Ai e ka mohuar se kompania e tij, është paguar pa u përmbushur detyrimet nga kontrata.

Kurse, i pyetur nga i akuzuari Zekaj, se a janë njoftuar ndonjëherë gjatë kësaj periudhe nga Autoriteti Kontraktues se do të penalizohen për ndonjë obligim të pa kryer, dëshmitari deklaroi se ka marr shumë kërcënime nga Autoriteti Kontraktues, të cilave sipas tij, u është përgjigjur me përmes e-mail-it.

I pyetur nga Zekaj se a kanë dorëzuar dy garancione te Autoriteti Kontraktues për garancion të avancit dhe garancion të përmbushjes së kontratës, dëshmitari deklaroi se me njohurinë e tij, e din se ka pasur garancione, por nuk e di, se a kanë qenë dy.

Në këtë seancë, dëshminë e tij e ka dhënë edhe Adem Krasniqi, që në vitin 2009, ka mbajtur pozitën e udhëheqësit të Departamentit të Prokurimit në MTI.

Krasniqi, ka deklaruar se nga përvoja e tij dhe praktikat e prokurimit, në rastet kur dorëzimi i pajisjeve bëhet sipas kontratës dhe të njëjtat nuk pranohen nga komisioni i pranimit, nuk lejohet që pajisjet t’i kthehet prapë operatorit ekonomik, përveç rasteve kur ato janë të dëmtuara.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet se gjatë periudhës kur ka mbajtur një pozitë të tillë, t’i jetë kërkuar ndonjë interpretim i kontratës së projektit “Navigatori i Qytetit”.

Për këtë projekt, dëshmitari deklaroi se nuk ka qenë i ftuar në takimet ku kanë qenë pjesëmarrës operatori ekonomik dhe zyrtarët e MTI-së.

Sa i përket garancionit të kontratës për projektin në fjalë, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet se a ka pasur një të tillë, mirëpo sipas tij, çdo kontratë duhet të ketë garancion të përmbushjes.

Lidhur me konfiskimin e garancionit, dëshmitari ka deklaruar se Autoriteti Kontraktues ka të drejtë të bëj konfiskimin e garancionit në rast se vërtetohet se kontrata nuk është përmbushur dhe një rekomandim të tillë, sipas tij, e jep organi mbikëqyrës apo projekt-menaxheri.

Tutje, Krasniqi ka deklaruar se në rastet kur nuk ka projekt menaxher, mbikëqyrjen e implementimit të kontratës e bën personi që e ka nënshkruar kontratën.

Ndryshe, trupi gjykues ka marr aktvendim gjatë kësaj seance që të miratohet propozimi i prokurorit Feti Tunuzliu që dëshmitë e Bujar Kuqit, Blerta Hotit dhe Njazi Shalës, të konsiderohen të lexuara.

Një propozim i tillë ishte bërë në seancën e mbajtur më 26 mars, pasi dëshmitarët kishin dhënë dëshminë e tyre para trupit gjykues të cilin e kishte udhëhequr ish-gjykatësi Faik Hoxha, por pasi që Hoxha kishte dhënë dorëheqje nga pozita e gjykatësit, tashmë kjo lëndë i është ndarë gjykatësit Beqir Kalludra dhe në këtë mënyrë shqyrtimi gjyqësor duhet të nis rishtas.  Mirëpo, propozimi ishte refuzuar pasi, mbrojtësi i të akuzuarit Burim Zekaj, avokati Nasër Peci e kishte refuzuar.

“Kryetari i trupit gjykues merr aktvendim që të refuzohet propozimi i prokurorit që të lexohen dëshmitë e dëshmitarëve dhe gjykata do të provojë edhe njëherë që t’i ftojë dëshmitarët, Bujar Kuqi, Armend Salihi, Adem Krasniqi, Blerta Hoti dhe Njazi Shala”, kishte qenë vendimi i gjykatësit Kalludra.

Mirëpo, pasi tre dëshmitarët e tjerë, përveç Armend Salihi e Adem Krasniqi, nuk janë paraqitur në gjykatë, trupi gjykues ka marr aktvendim që të konsiderohen të lexuara deklaratat që  kanë dhënë para trupit gjykues me përmbajtje tjetër.

Gjatë seancës së 26 marsit, mbrojtësi i Zekajt, avokati Naser Peci i kishte propozuar gjykatës që të caktohet një ekspertizë tjetër financiare, duke e konsideruar jo të rregullt ekspertizën e ekspertit financiar Shaip Bytyqi.

Mirëpo, ky propozim është refuzuar nga trupi gjykues në seancën e së martës.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 3 maj, me fillim nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës, Halil Bajrami, në cilësinë e udhëheqësit të politikave dhe promocion turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si bartës i projektit “Navigatori i qytetit”. Prokuroria pretendon se ai ia kishte mundësuar Kompanisë “Ataq Consulting” nga Gjilani pagesën e tërësishme në shumë prej 113.013.00 euro, pagesë kjo nga kontrata “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve për navigator të qytetit”, e datës 1 tetor 2008.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse kjo kompani kishte përmbushur vetëm pjesërisht obligimin për furnizimin e MTI-së, me pajisjet e parapara në kontratë, vlera e të cilëve ishte në shumë prej 94.410.00 eurove, e njëjta ka pranuar paraprakisht paradhënien në shumë prej 22.602.60 euro, shumë kjo në dëm të MTI-së.

I pandehuri Burim Zekaj, sipas prokurorisë, në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MTI, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, më 19 dhjetor 2008 ka lëshuar urdhër për pagesa me vlerë prej 90.410.00 euro për kompaninë “Ataq Consulting” në Gjilan./Betimi për Drejtësi.