Hoti kërkon publikimin e listave të pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së

Hoti kërkon publikimin e listave të pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se asnjëherë nuk do të vendoset drejtësi për kategoritë e dala nga lufta pa i nxjerrë Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes listat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së.

“Vetëm kur ato lista të bëhen publike, ushtarët e vërtetë do të marrin vlerësimin e merituar. Dhe do të dalin sheshit motivet kriminale e politike të fryrjes së numrit të veteranëve e invalidëve të luftës”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Por sipas deputetit të LDK-së deri atëherë, taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës do të shpenzohen padrejtësisht.

“LDK-ja e mbështet fuqishëm ndriçimin e plotë të këtij procesi, në mënyrë që të garantohet paprekshmëria e pastërtisë së kauzës çlirimtare të luftëtarëve të UÇK-së”, thuhet tutje në postimin e Hotit.

EULEX-i ka ngritur të mërkurën aktakuzë kundër gjashtë personave. Të pandehurit pretendohet se kanë ushtruar ndikim në mënyrë që të siguronin statusin dhe më pastaj edhe pensionin e Shoqatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së në këmbim të një pagese deri në një mijë euro.