Deputeti i LDK-së vlerësimin pozitiv të Raportit të Progresit ia adreson Qeverisë Mustafa

Deputeti i LDK-së vlerësimin pozitiv të Raportit të Progresit ia adreson Qeverisë Mustafa

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka adresuar meritat Qeverisë Mustafa për progresin e Kosovës në disa çështje që është cilësuar në Raportin e Progresit të publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian, shkruan Insajderi.

Ai në komisionin për Integrime Evropiane, ka thënë se gjithçka në këtë raport çka është quajtur progres ka qenë gjatë vitit të kaluar, përveç ratifikimit të demarkacionit që ka ndodhur gjatë qeverisjes së Haradinajt.

“Gjithçka çka është quajtur progres ka qenë në fillim të vitit të kaluar, përveç ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi që ka ndodhur pas zgjedhjeve dhe po ashtu i atribuohet edhe kontributit të opozitës”, ka deklaruar Zemaj.

Po ashtu ai ka thënë se Raporti i Progresit thekson disa nga detyrimet nga BE-së janë përmbushur pjesërisht.

“Detyrimet që janë dashur të përmbushën janë të vogla sidomos në atë të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka deklaruar ai./Insajderi.com