LDK dhe PDK u bënë sërish bashkë, por mandatin e kaluar ishin ‘prishur’ për diçka serioze

LDK dhe PDK u bënë sërish bashkë, por mandatin e kaluar ishin ‘prishur’ për diçka serioze

Një ditë më parë LDK dhe PDK kanë arritur marrëveshje për koalicion në Komunën e Pejës.

Nënshkrues të këtij koalicioni kanë qenë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri dhe kryetari i PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti.

Por, një koalicion i tillë nuk është arritur për herë të parë në këtë komunë.

Në mandatin e kaluar, ku Muhaxheri udhëhiqte me Komunën e Pejës, PDK dhe LDK kishin qenë në koalicion.

Madje, nuk patën munguar edhe përplasjet e mëdha në mes këtyre dy partive në këtë komunë.

Gazmend Muhaxheri, në rolin e kryetarit të Komunës, dhe kryetarit të degës së LDK-së në Pejë, kishte marrë vendim në Maj të vitit 2016, për përjashtimin nga detyra të dy drejtorëve që vinin nga radhët e PDK-së.

Arsye për një vendim të tillë kishte qenë, për shkak se si pati deklaruar Muhaxheri, këta dy drejtorë nuk e kishin votuar ridestinimin e disa mjeteve.

“Partneri është aty për të mbështetur zhvillimin e politikave. Dje PDK pa asnjë paralajmërim nuk e ka votu ridestinimin e disa mjeteve dhe unë kam shkarkuar dy drejtorë, përgjegjës për këtë veprim”, kishte thënë Muhaxheri.

Por, shkarkimin e këtyre drejtorëve nuk e kishte pranuar kreu i degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti.

Ai kishte thënë se vendimi i Muhaxherit është në shpërputhje të plotë me marrëveshjen për koalicion.

“Së pari koalicionin e kemi bërë në një moment shumë të rëndësishëm, kur pritej që të mos kishte aq kuorum për t’u konstituar Kuvendi i Pejës. Për t’i dhënë një shtytje konstituimit të organeve unë kam ndërmarrë një veprim që të bëjmë koalicion me LDK-në. Kuptohet koalicioni ka funksionuar deri sa unë dhe Gazmend Muhaxheri kemi bashkëpunuar për interes të qytetarëve dhe nuk kemi ndarë interesa as personale as në mes të partive. Veprimi për përjashtimin e drejtorëve nuk është në përputhje me marrëveshjen që kemi bërë dhe drejtorët i ngarkon ose i shkarkon kryetari i degës së Pejës dhe jo i LDK-së”, pati thënë Haliti.

Ai në atë kohë kishte shkuar më larg, duke thënë se do të kërkojë sqarime nga Muhaxheri.

“Unë dua arsyetimin, nëse i janë prishur dikujt planet për interesa personale, të caktuara, të cilat kanë të bëjnë me fusha që mbulojnë drejtoritë atëherë është ok. Por, unë kam pasur ankesa të vazhdueshme që Muhaxheri ka krijuar Drejtorate të dubluara, do të thotë drejtorët i ka nxjerrë jashtë lojës duke kriju mekanizma të dubluara në buxhetin e komunës dhe unë e kam arsyetuar këtë duke menduar se Gazmendi vërtet po përpiqet ta parandaloi mundësinë e krijimit të anarkisë në shpenzimet e buxhetit komunal. Së shpejti do takohemi dhe t’i sqarojmë çështjet, nëse Gazmendi mendon që mund të veprojë kështu atëherë edhe koalicioni s’ka asnjë arsye që të funksionojë”, kishte theksuar Haliti.

Të dy këta në marrëveshjen e re për koalicion në mes këtyre dy partive në Pejë, thuhet se partnerët e koalicionit janë të obliguar që nëse dëshirojnë tërheqjen nga koalicioni ta informojnë njëra-tjetrën së paku një muaj më herët./Insajderi.com