Detajet e aksionit “holivudian” të arrestimit në Beograd

Kriminelët e kishin kidnapuar një biznesmen shqiptar nga Prishtina, dhe kanë kërkuar 100.000 euro për lirimin e tij.

Detajet e aksionit “holivudian” të arrestimit në Beograd

Beogradasi Ivan S. (43) dhe Zoran J. (43) nga Kurshumlia janë arrestuar dje për shkak të kidnapimit të tregtarit me patundshmëri nga Prishtina Shaqir P. (50) për lirimin e të cilit kanë kërkuar 100.000 euro prej partnerit të tij afarist, lajmëron gazeta serbe “Blic”.

Siç pretendohet në kumtesën e MPB serbe, ata dy janë arrestuar në Beograd për shkak se e kanë kidnapuar një pesëdhjetëvjeçar në rajonin e Rashkës, dhe më pas kanë kërkuar haraç.

“Me punën e përbashkët operative të pjesëtarëve të Drejtorisë së policisë kriminalistike dhe drejtorive të policive në Beograd, Kralevë dhe Kragujevc, është zbardhur kidnapimi i një burri. Dyshohet  se Z. J. dhe I. S, më 17 prill të këtij viti, në rajonin e Rashkës e kanë kidnapuar, dhe e kanë dërguar në një shtëpi në rajonin e Arangjellovcit, e më pas kanë kërkuar haraç. Policia i ka arrestuar në Beograd gjatë dorëzimit të parave”, pretendohet në kumtesën e MPB serbe, transmeton Insajderi.com.

Në bastisjen e shtëpisë së pushimit të I. S. janë gjetur një revole, në karabinë gjuetie dhe 16 copë municion, dhe për këtë do të ngrihet kallëzim penal për të edhe për prodhim të ndaluar, mbajtje, dhe trafikim të armëve dhe materialit shpërthyes.

Siç tregon hetimi i gjertanishëm i policisë, kidnapuesve i ka rënë në sy  biznesmeni i pasur nga Prishtina për shkak të udhëtimeve të shpeshta në Rashkë. Shaqiri merret me shitblerjen e tokave në Kosovë dhe në jug të Serbisë si ndërmjetësues. Sipas të dhënave të marra nga interneti, kompania e tij është e njohur nëpër këto rrethe. Kriminelët e kanë krijuar një plan për kidnapim, ku hapi i parë ishte që ta kontaktojnë Shaqirin dhe të paraqiten si shitës të interesuar të tokave. Kur ai kishte arritur në takim Ivan S. dhe Zoran J. e kishin kidnapuar dhe e kishin mbyllur në një objekt në Arangjellovc.

Në këtë vend ata kanë nxjerrë nga Shaqir P. informata mbi kontaktet e tija afariste, duke kërkuar se nga kush më së lehti mund të marrin parat e haraçit. Më në fund e kontaktojnë partnerin e tij afarist nga Beogradi, dhe prej tij kanë kërkuar 100.000 euro me kërcënim se në të kundërtën do ta vrasin shqiptarin.

Lidhja beogradase e Shaqirit i kishte pranuar të gjitha kushtet dhe e kanë lënë takimin në një restorant të njohur në Beograd në bulevardin e mbretit Aleksandër. Paralelisht ky e kishte kontaktuar policinë dhe i kishte informuar inspektorët për ngjarjen. Ata e kanë krijuar një plan dhe e kishin këshilluar që t’i mbledhë paratë në mënyrë që kidnapuesit të mendojnë deri në fund që do të shpëtojnë pa u dënuar. Në takim në restorantin e përmendur, partneri i Shaqirit ishte paraqitur me 20.000 euro para të gatshme, ndërsa inspektorët policorë i kishin arrestuar kidnapuesit gjatë dorëzimit të parave.

Për këtë vepër penale kidnapuesit ballafaqohen me dënim deri 10 vjet burgim./Insajderi.com.