“Vetëvendosje nuk është e gatshme për zgjedhje”

“Vetëvendosje nuk është e gatshme për zgjedhje”

Ditëve të fundit LDK-ja po kërkon me ngulmë që spektri politik të bashkërendohet për datën e zgjedhjeve të parakohshme, me arsyetimin se një qeveri e pakicës, siç është kjo tash, nuk mund të marrë vendime për tema të mëdha.

Megjithatë, analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë se LDK-ja, me deklarimet e saj për ngritjen e një mocioni mosbesimi për Qeverinë Haradinaj, por edhe organizimin e tryezave për kinse zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk është duke bërë asgjë tjetër veç sa po i jep energji elektoratit të vet.

“Mendoj se kjo po bëhet më shumë për ta energjizuar elektoratin e vet dhe për të krijuar një ide të gatishmërisë për zgjedhje të reja sesa që mund të ketë ndonjë gjë konkrete në këtë aspekt”, thotë Muhaxhiri.

Ai thekson se kërkesat për zgjedhje të reja në këtë kohë, nuk janë opsione reale pasi që, sipas tij, ato do ta çonin Kosovën në spirancën e pasigurisë dhe drejt një mjegulle politike.

“LDK-ja është duke dashur që të fitojë në aspektin e imazhit politik, mirëpo në aspektin konkret LDK-ja, ka pak gjasa të vogla që të kemi zgjedhje të shpejta, sepse asnjë subjekt tjetër veç LDK-së nuk është i gatshëm të shkojë në zgjedhje, as PDK-ja, as Vetëvendosje. Pra, edhe pse këtë e thonë deklarativisht, mirëpo në aspektin konkret politik besoj se asnjërës palë nuk i përshtatet të shkojë në zgjedhje të reja”, vlerëson Muhaxhiri.

Opozita në Kuvendin e Kosovës vazhdon të kontestojë legjitimitetin e Qeverisë aktuale të Kosovës, por zyrtarisht nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë drejt ngritjes së ndonjë mocioni të mosbesimit, sado që kjo çështje përmendet si mundësi reale.

Koalicioni aktual qeverisës po ballafaqohet me faktin e humbjes së shumicës në Kuvend, pasi që Lista Serbe ka vendosur të kalojë në opozitë.

Megjithatë, bazuar në gjendjen aktuale, Qeveria nuk e ka shumicën, por as opozita nuk i ka 61 votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë, por zyrtarët e LDK-së thonë se do të provojë të sigurojë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë./REL/