Këshilltari i Thaçit lëshohet në lëvdata të forta kur e uron shefin për ditëlindje

Këshilltari i Thaçit lëshohet në lëvdata të forta kur e uron shefin për ditëlindje

Në ditëlindjen e 50-të të Presidentit Hashim Thaçi, këshilltari i tij, Ismail Syla, e ka çuar në qiell me lëvdata shefin e tij.

Në datën e lindjes së Presidentit, këshilltar i tij ka vendosur të na përshkruaj Thaçin, përshkrimi i të cilit duket përtej reales.

Syla është shfrenuar përgjatë këtij urimi, ndërsa ka thënë se të gjitha të arriturat në Kosovë dekadave të fundit mbajnë vulën e Thaçit. Natyrisht, të paarriturat, apo dështimet, nuk kanë pasur vend në këtë urimi.

Ky është urimi i plotë i Sylës:

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në ditëlindjen e pesëdhjetë, pra, në gjysëm shekullin e tij,  pavarësisht relacioneve zyrtare, meriton një urim të veçantë në facebook.

Janë disa njerëz që jetën e jetojnë me një intenistet dhe denduri ngjarjesh sa brenda një viti kanë tri e më shumë vite. Dhe vërtet jeta matet jo me kohëgjatësi kalendarike, po me ngjarje dhe të bëma.

Presidenti Thaçi që 20 vjet ka bërë jetë  të suksesshme publike. Asnjë lider i fundviteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar e deri më sot nuk është në skenën politike kaq gjatë sa  lideri Thaçi. Kanë shkuar politikanë rajonalë në pensionim politik, kanë shkuar në pensionim politik ose dhe nga jeta edhe liderë shqiptarë (Berisha, Nano, Rugova etj), e Hashim Thaçi i rezistoi kaq gjatë jetës politike.

Hashim Thaçi ishte lider në luftë, lider i rëndësishëm dhe i patejkalueshëm në opozitë, lideri më jetëgjatë në pozitë (dy mandate) si kryeministër i pavarësisë së Kosovës dhe tash president i Republikës së Kosovës.

Ndoshta përkufizimin më të mirë të profilit të tij politik të ardhshëm e bëri ish sekretarja amerikane e shtetit znj. Madeleine Albright , e cila që në vitin 1999 kishte vërejtur se Hashim Thaçi kishte vizionin në të cilin ajo besonte, vizion që i kishte munguar Kosovës.

Çdo e arritur politike e Kosovës prej 1999 e deri më tani mban vulën e Hashim Thaçit.

Nga 50 vjet jetë, 20 prej tyre, po u shprehëm me gjuhën e fizikës, ishin vite nukleare.

Edhe shumë e shumë tjera President!