Hoti flet pas takimit: Qeveria ka qenë problematike me vendime arbitrare

Hoti flet pas takimit: Qeveria ka qenë problematike me vendime arbitrare

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah, Hoti, përmes një shkrimi në facebook ka folur për tryezën e organizuar nga kjo parti. Ai ka thënë se ftesa nga LDK është bërë që të koordinohen partitë politike për situatën në vend.

“Sot u mbajt tryeza e partive politike e organizuar nga LDK-ja ku morën pjesë të gjitha partitë politike parlamentare dhe joparlamentare. Roli i LDK-së, si partia më e madhe në vend, në këtë nismë, është koordinues, me qëllim hapjen e mundësisë që subjektet politike të debatojnë e të propozojnë zgjidhje për situatën politike në vend. Tryeza tjetër presim të thirret nga partitë e tjera sipas fuqisë politike që ka secila”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se sipas LDK-së qeverisja shtatë mujore e Haradinajt ka qenë problematike me vendime arbitrare.

“Vlerësimi i LDK-së është se qeverisja 7-mujore ka qenë e vështirë dhe në disa raste shumë të rëndësishme janë nxjerrë vendime arbitrare dhe problematike. Temat e mëdha ka qenë e vështirë të adresohen duke qenë se koalicioni ka qenë tepër i brishtë, me vetëm 61 vota. Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi u ratifikua me mbështetjen vendimtare të LDK-së”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu ai më tej ka thënë se vendin e presin edhe tema të tjera të rëndësishme të cilat sipas Hotit duhet të kryhen së bashku.

“Vendin e presin temat të mëdha: vazhdimi i dialogut me Serbinë, formimi i Asociacionit, formimi i ushtrisë, reformat e agjendës evropiane, reforma zgjedhore etj. Ne mendojmë se këto tema duhet të diskutohen në këtë format dhe së bashku”.

“Kriza institucionale në muajin e fundit ka pamundësuar adresimit të çështjeve madhore. Tash koalicioni ka humbur shumicën parlamentare, me daljen e Listës Serbe nga koalicioni. Mungesa e shumicës në Kuvend e pamundëson qeverisjen normale demokratike. Prandaj, forcat politike duhet të gjejnë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë. Ky cikël debatesh, që po nis me këtë tryezë, duhet të shterojë debatin për të dalë nga kjo situatë”, ka përfunduar Hoti.